Vijojnë hetimet për atentatin me eksploziv ndaj gazetarit italian Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit investigativ Report. Në qendër të hetimeve është vendosur një emër i njohur i botës së krimit, Artur Shehu, 58 vjeç, biznesmen me origjinë shqiptare, i njohur prej vitesh nga autoritetet si një figurë me ndikim në krimin e organizuar shqiptar, shkruan La Repubblica.
Shehu jeton aktualisht në Miami, Florida, ku mban një profil të ulët. Sipas burimeve hetimore, edhe Drejtoria Italiane e Antimafias ka marrë informacion nga qyteti i Vlorës, që sugjeron një përfshirje të mundshme të tij në shpërthimin e ndodhur më 16 tetor, përpara banesës së Ranuccit në Pomezia, afër Romës. Kjo pistë mbetet për momentin në fazën e hipotezës dhe kërkon verifikime të mëtejshme, por është duke u ndjekur me vëmendje nga Prokuroria Antimafia e Romës, në bashkëpunim me karabinierët e njësive hetimore në Frascati dhe Via In Selci.
Pistat e hetimit – nga migrantët në Shëngjin te lidhjet me mafian
Një nga drejtimet kryesore të hetimeve është një episod i emisionit Report i transmetuar më 21 prill 2024, që analizonte projektet për ngritjen e qendrave për migrantët në Shëngjin dhe Gjadër, si pjesë e marrëveshjes mes qeverive të Italisë dhe Shqipërisë.
Në atë material, emri i Artur Shehut përmendet disa herë, duke u lidhur me rrjete biznesi dhe marrëdhënie me struktura politike e institucionale në Shqipëri. Sipas Report, Shehu përshkruhet si një narkotrafikant me lidhje të mundshme me Cosa Nostra dhe Sacra Corona Unita, i përmendur më parë edhe në hetime ndërkombëtare.
Gjithashtu, sipas emisionit, Shehu ka dhuruar një sipërfaqe prej 30 mijë metrash katrorë pranë Vlorës për një fondacion të lidhur me gjeneralin italian Fabrizio Lisi. Ky transaksion dyshohet të jetë ndërmjetësuar nga Engjëll Agaçi, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, një figurë kyçe në negociatat për marrëveshjen mbi migrantët.
Profil ndërkombëtar dhe ndjekje në SHBA
Artur Shehu nuk është një emër i panjohur për median ndërkombëtare. Në mars 2021, gazeta Miami Herald publikoi një artikull investigativ me titull:
“Nga një vilë në Miami Beach, një burrë me lidhje të dyshuara me mafian ndërton një perandori biznesi në Shqipëri”, ku përshkruhet jeta e tij luksoze në SHBA dhe aktivitetet e tij ekonomike në vendin e origjinës. Prokuroria italiane është duke shqyrtuar gjithashtu profilin e tij ndërkombëtar, duke krahasuar të dhënat e mbledhura në Shqipëri me lëvizjet e Shehut në muajt e fundit. Ekziston dyshimi se të njëjtët persona kanë tentuar të futen edhe në shtëpinë e dytë të Ranuccit gjatë verës, por pa sukses.
Duke pasur parasysh numrin e madh të hetimeve të ndjeshme që Report ka realizuar ndër vite, motivet e mundshme janë të shumta. Megjithatë, për momentin, fokusi kryesor i hetuesve mbetet te segmentet e krimit të organizuar shqiptar, që mund të jenë ndjerë të ekspozuar apo të kërcënuar nga investigimet e fundit të transmetuara në emision.
BalkanWeb