Media britanike GB News ka publikuar një artikull u pretendohet se ka një lidhje mes Tony Blair dhe ministres robot të qeverisë Rama, “Diella”.
Në artikull thuhet se Shqipëria ‘zgjodhi’ ministrin e saj të parë dixhital në fillim të shtatorit, por historia është bërë përsëri e rëndësishme pas propozimit të qeverisë britanike për ID-në Dixhitale, ndërsa vendoset një paralelizëm me faktin që në Britani Tony Blair po nxit vendimin për ID-në Dixhitale si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në Shqipëri.
“Diella është ministrja e shtetit e Shqipërisë për inteligjencën artificiale. Vetë Diella është një inteligjencë artificiale, konkretisht e llojit gjenerues. Siç raportoi Sky News në atë kohë:
Avatari, i cili ishte përshkruar si një grua e veshur me veshje tradicionale shqiptare, u tha deputetëve: “Nuk jam këtu për të zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata. Është e vërtetë, unë nuk kam shtetësi, por nuk kam as ambicie apo interesa personale”, vijon media britanike.
GB News raporton se pati një lloj “shpërthimi” në Parlamentin e Shqipërisë kur u votua për prezantimin e Diellës. Pavarësisht kundërshtimit, votimi kaloi me 82 nga 140 politikanë që votuan pro.
Më tej në artikull bëhet një krahasim mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Tony Blair.
“Kryeministri i Shqipërisë është Edi Rama, i cili aktualisht po shërben mandatin e tij të katërt, përshkruhet nga Sky Neës si një socialist, por ndryshe nga socialistët e Mbretërisë së Bashkuar, zoti Rama është një fans i madh i Tony Blair. Ndërsa Rama udhëheq Partinë Socialiste të Shqipërisë, ai është i frymëzuar nga politika e “rrugës së tretë” të Blair-it . Me fjalë të tjera – ashtu si vetë Blair – ai e ka çuar një parti tradicionalisht të krahut të majtë në një drejtim të qartë qendror.
Krahas ID-së Dixhitale, inteligjenca artificiale është një interes kyç i Institutit Tony Blair (TBI). Ne e dimë që Blair dhe TBI po shtyjnë përpara ID-në Dixhitale në Mbretërinë e Bashkuar; a do ta inkurajojnë ata gjithashtu përdorimin e ministrave të IA-së?
Do të na pëlqente të thoshim se ministrat e inteligjencës artificiale nuk mund të jenë shumë më keq se grupi që kemi, por nëse ka një gjë që na ka mësuar shekulli i 21-të, është se gjërat gjithmonë mund të përkeqësohen”, përfundon artikulli.
BalkanWeb