Juristi dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, ka reaguar për arrestimin e bujshëm të avokatit Uljan Barjami brenda sallës së gjyqit disa ditë më parë, duke e cilësuar këtë ngjarje si “të papranueshme” dhe shenjë të një devijimi serioz nga normat kushtetuese dhe etika profesionale.
I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Ndreca theksoi se kjo nuk është pasojë e reformës në drejtësi, por një problem më i thellë që lidhet me mënyrën si funksionon shteti dhe roli i institucioneve në raport me Kushtetutën.
“Është një çështje që s’ka lidhje me politikën. Është një temë kushtetuese dhe e funksionimit të shtetit. Askush nuk duhet ta relativizojë. Unë flas si profesionist dhe them se kjo situatë është jashtë çdo standardi,” u shpreh Ndreca.
Ai vuri në dukje se organizimi i sallave të gjyqit në vetvete pasqyron një pozicion të privilegjuar të prokurorit në raport me palët e tjera. “Që nga organizimi i sallës së gjyqit tregohet se prokurori ka një pozitë të veçantë. Ndoshta kjo është e kuptueshme te Prokuroria e Posaçme, por pse duhet të ndodhë edhe te prokurori i zakonshëm? Avokati nuk përbën asnjë rrezik për jetën e prokurorit,” tha ai.
Ndreca e kritikoi hapur veprimin e prokurorisë, duke thënë se është tejkaluar çdo kufi normaliteti. “Kjo ishte një çështje e papranueshme. Prokuroria ka çuar kufijtë përtej normave. Vetë fakti që një prokuror mendon të ndërmarrë një veprim të tillë, tregon se nuk po përdor autoritetin që i jep shteti me profesionalizëm, por në varësi të emocioneve të tij,” shtoi ai.
Sipas tij, prokurori nuk ka të drejtë të veprojë në bazë të reagimeve personale. “Prokurori përfaqëson Republikën e Shqipërisë, dhe nuk mund të jetë emocional. Në vitin 2025, një mentalitet i tillë nuk mund të ekzistojë në sallat tona të gjyqit,” përfundoi Ndreca.
BalkanWeb