Emri i Edlira Çepanit ishte një figurë potenciale për të përfaqësuar opozitën për zgjedhjet e bashkisë së Tiranës, përballë Ogerta Manastirliut. E ftuar në programin e drekës në News24, përballë moderatores Ola Bruko, Çepani tha se ishte surprizuar për mirë nga lakimi i emrit të saj si një kandidate potenciale.
Ajo tha se nuk e kishte menduar kurrë që emri i saj do të lakohej si kandidate për kryetare bashkie, ndërsa shtoi se ky ishte një mesazh i madh që iu dha politikës, që të hapej dhe t’i jepte mundësi dhe figurave jashtë saj.
“Nuk besoj se isha ndonjëherë në garë. Ishte surprizë e bukur. Emri u lakua nga PD, PL, dhe nga qytetarë. Ishte surprizë, se nuk e kisha menduar që të lakohej emri im për këtë pozicion. Herë pas here, më ka ndodhur që të më përflitet emri. Por mënyra se si shkoi në mënyrë virale, ishte e këndshme për t’u dëgjuar.”, tha Çepani. Pyetjes nëse do të kishte pranuar apo jo që të përfaqësonte opozitën në këtë garë, Çepani tha se do ta kishte menduar seriozisht, ndonëse nuk pati një procedurë normale për këtë rast.
“Nuk pati një procedurë përzgjedhje normale. Ishin disa emra që u hodhën nëpër të. Ishte procedurë atipike. E cila solli një risi në Shqipëri. U lakuan emra që ishin nga shoqëria civile, pra ka disa njerëz që nuk merren me politikë. Në një farë mënyre, mendoj se duhej të ishte mesazh për politikën, që të hapet më shumë dhe të shkoj drejt intelektualëve, drejt atyre që mund të kenë dëshirë dhe kapacitet për t’u angazhuar. Njerëzit kanë nisur të kërkojnë ndryshim dhe lëvizje të ujërave. Do ta kisha menduar seriozisht. Se varet se si janë marrëveshjet, pjesa e angazhimit në fushatë. Por ajo që më pëlqeu mua është se nuk kishte lidhje me individin, por me një sferë jashtë politikës. Ka ardhur koha që secili prej nesh të marrë përgjegjësi të tilla.”, tha ajo.
Ndërkohë, Çepani tha se nëse bashkëshorti i saj, Gert Bogdani do të ishte gjallë, do ta kishte inkurajuar nëse do të duhej të garonte për kryetare të Bashkisë së Tiranës. “Po të tre bashkë. Do më kishte inkurajuar. Ai kishte një vizon të saktë dhe të qartë për Tiranën. Ai e donte më shumë se çdo gjë Tiranën. Mendoj se dhe individualisht duhet të angazhohemi të gjithë, se është qyteti ku jetoj.”, tha ajo.
BalkanWeb