Barça luan “tenis” me Olympiacos, “shpërthen” me një futboll të bukur ofensivë duke triumfuar me rezultatin e thellë 6-1, një fitore shumë e rëndësishme që vjen përpara “El Clasico” kundër Real Madrid.
Ekipi i Hansi Flick e nisi sfidën me “marshin e pestë” ku Fermin Lopez u kthye në protagonist, me sulmuesin spanjoll që realizoi një “dopietë” golash. Në fraksionin e dytë grekët u përpoqën të reagonin, fillimisht ishte VAR që i ndaloi festën duke i anuluar një gol, por në minutën e 53-të gjyqtari i takimit akordoi një penallti, me El Kaabi që ngushtoi shifrat në 2-1. Për të ndërlikuar këtë takim për Olympiacos mendoi Hezze i cili në minutën e 57-të u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke lënë ekipin me 10-të lojtarë.
Në të 68-tën ishte Lamine Yamal që konvertoi në gol një penallti të fituar nga Rashford. Pak minuta më vonë ishte vetë sulmuesi anglez që realizoi golin e tij të parë në minutën e 74-ët duke dërguar shifrat në 4-1. Dy minuta më vonë ishte Fermin Lopez që kompletoi mbrëmjen e tij të madhe duke realizuar golin e tretë personal dhe të pestin për Barçën.
Ekipi i Flick nuk e uli ritmin për asnjë moment dhe në minutën e 79-të, Rashford firmosi “dopietën” e tij personale duke sigluar shifrat në 6-1.
Ky sukses, dhe mënyra se si ekipi u shpreh në fushë kënaq trajnerin Hansi Flick, për më tepër që kjo fitore vjen përpara El Clasico: “Ky rezultat na jep kofidencë, të shënosh gjashtë gola është diçka shumë e mirë për ne. Fermin? Bëri një paraqitje të shkëlqyer, realizoi 3 gola, por i pari ishte i rëndësishëm se hapi ndeshjen. El Clasico? Vitin e shkuar ishte e jashtëzakonshme, por tani jemi në një situatë shumë ndryshe. Unë jam pozitiv, mendoj se mund të fitojmë në Madrid”, u shpreh Hansi Flick.
()
BalkanWeb