Mirënjohje e veçantë “Vizija 100” për kontributin në forcimin e lidhjeve ekonomike në rajon iu dha Odës Ekonomike të Serbisë dhe iu dorëzua kryetarit të saj, Marko Çadezit, në ceremoninë solemne në kuadër të 100 EXPO- Panairit Ndërkombëtar të ekonomisë dhe konferencës në Sarajevë.
Mirënjohja “Vizija 100”, e themeluar nga organizatorët e panairit 100 EXPO në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndahet për projekte, iniciativa dhe veprime afariste që forcojnë dhe mbështesin ekonominë vendore dhe rajonale. Kjo mirënjohje nderon liderë dhe kompani, puna, idetë dhe vlerat e të cilëve formësojnë peizazhin ekonomik të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të rajonit.
Mirënjohjen Marko Çadezit ia dorëzoi dr. Hatixha Jahiç, këshilltare për çështje ekonomike e anëtarit të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, dr. Denis Beçiroviq.
Përpara hapjes solemne të panairit 100 EXPO, ku Sërbia këtë vit është vend partner, Marko Çadezh theksoi se tani është momenti kur rajoni duhet të veprojë së bashku.

“Nuk kemi më kohë – ka ardhur koha të krijojmë një hapësirë të vetme ekonomike të Ballkanit Perëndimor, sepse kjo është mënyra e vetme që si ekonomi të mbijetojmë dhe të qëndrojmë konkurrues,” tha Çadezh, duke theksuar se rajoni përballet me ndryshime gjeopolitike, revolucion teknologjik, zhvendosje të zinxhirëve të furnizimit… Ai paralajmëroi se ekonomitë e rajonit përballen me sfida të reja si taksat CBAM, pasiguria e tarifave doganore të Bashkimit Evropian ndaj vendeve të treta dhe kërkesat gjithnjë e më të mëdha që ndikojnë në konkurrencën.
“Mënyra e vetme për të kapërcyer këto sfida është zëri i vetëm i rajonit,” theksoi Çadezh, duke bërë thirrje për krijimin e një këshilli rajonal në nivel ministrash dhe krerëve të shteteve, i cili do të mundësonte një integrim ekonomik më të shpejtë dhe më efikas. Sipas fjalëve të tij, asgjë nuk pengon që rajoni brenda një viti ose një vit e gjysëm të bëhet pjesë e tregut të vetëm të Bashkimit Evropian, edhe përpara anëtarësimit formal.
“Të gjitha kompanitë që marrin pjesë në këtë panair përballen me të njëjtat sfida – prandaj ka ardhur koha të mendojmë më pak për veten dhe më shumë për mënyrën se si të krijojmë rritje, të punësojmë njerëz dhe të jetojmë normalisht në rajonin tonë,” theksoi Çadezh, duke përfunduar se uniteti, bashkëpunimi dhe transformimi digjital janë çelësi për mbijetesën dhe zhvillimin e ekonomive të Ballkanit Perëndimor.
Kryetari i Odës së Tregtisë së Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Ahmet Egrliq, theksoi se prania e Sërbisë si vend partner është një nxitje e fortë për lidhjen dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal.
Duke marrë pjesë në panelin e parë të konferencës “100 EXPO – Liderët e zhvillimit të qëndrueshëm”, Çadezh njoftoi për WB6 Opportunity – asistentin e parë rajonal digjital për investime në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili aktualisht është në versionin beta, dhe pas një muaji do të jetë i disponueshëm në faqet zyrtare të të gjitha odave ekonomike të rajonit. Platforma është zhvilluar nga Oda Ekonomike e Sërbisë dhe Qendra për Transformim Digjital, në bashkëpunim me Forumin e Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor, me qëllim që t’u ofrojë kompanive dhe investitorëve informacione të sakta dhe të përditësuara mbi mundësitë e investimeve, ligjet, nxitjet, tendencat e tregut dhe mjedisin e biznesit.
“Ky chat bot i parë rajonal, tregon sa të mirë jemi kur punojmë së bashku dhe sa shumë mund të përparojmë si rajon,” theksoi Çadezh, duke vënë në pah se WB6 Opportunity është shembull se si digjitalizimi mund të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe t’u lehtësojë punën investitorëve.
Panairi ndërkombëtar i ekonomisë dhe konferenca 100 EXPO zhvillohen në kuadër të projektit “100 më të mëdhenjtë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në rajon”, duke bashkuar kompanitë, investitorët dhe institucionet kryesore të rajonit. Në stendën kombëtare të Sërbisë po përfaqësohen kompanitë: IGM Mladost, PIMI, Smurfit Westrock Avala Ada, INFOFIN – Royal Hotels, ERA Packaging, EKO-BOX, Cinefilm, Model 5, Lignodom, Gasparovski, Logera, Design Architecture Network, si dhe Qendra për transformim digjital dhe Akademia e biznesit e Odës Ekonomike të Serbisë (PKS).
BalkanWeb