Pas përplasjes për liderët e UÇK-së, Rama dhe Kurti sot në Londër, zhvillohet samiti për Procesin e Berlinit

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian mblidhen në Londër, në kuadër të samitit të radhës të Procesit të Berlinit. Në këtë samit marrin pjesë liderët e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, si edhe përfaqësues të vendeve të BE-së dhe të Britanisë së Madhe, e cila këtë vit ka kryesinë e procesit.

Për herë të parë në këtë format merr pjesë kancelari gjerman Friedrich Merz. Qeveria gjermane e konsideron Procesin e Berlinit si një “histori suksesi”, thuhet në një njoftim zyrtar në prag të samitit të Londrës. “Qeveria gjermane do ta vazhdojë këtë proces si pjesë e angazhimit të saj për Ballkanin Perëndimor – një rajon me rëndësi strategjike për Evropën”, thuhet në njoftim.

Çfarë është arritur deri tani
Procesi i Berlinit, themeluar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme Angela Merkel, ka si objektiv bashkëpunimin rajonal dhe afrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian përmes zhvillimit ekonomik, sigurisë dhe mobilitetit. Samitet mbahen çdo vit në një qytet tjetër evropian dhe kanë nxitur marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, njohjen e diplomave dhe tregtinë ndërkufitare. Megjithatë, zbatimi i tyre ka hasur në pengesa të shumta.

Sipas Frauke Seebass nga Instituti Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP) në Bruksel, kjo lidhet me mungesën e vullnetit politik për bashkëpunim midis disa vendeve të rajonit, por edhe me hezitimin e Brukselit për të përshpejtuar procesin e zgjerimit.

Paralajmërimi i ministrit gjerman Wadephul
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann David Wadephul, deklaroi në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm në Belfast se duhen ndërmarrë nisma të reja për të arritur përparime në procesin e zgjerimit të BE-së; në të kundërt, sipas tij, do të shtohet ndikimi në rajon i vendeve të tjera, sidomos i Rusisë dhe Kinës. Deri tani, qeveria gjermane nuk ka bërë të ditur se për cilat nisma konkrete bëhet fjalë.

Sipas burimeve qeveritare, kancelari gjerman në këtë samit do të ketë rastin të njihet më nga afër me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa fokusi i takimit të këtij viti është bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe luftimi i migracionit të paligjshëm./DW

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×