Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale, duke akuzuar Ministrinë e Brendshme për neglizhencë të qëllimshme ndaj rënies së ndjeshme të sigurisë publike në vend. Sipas tij, ndërsa krimi po shkatërron Shqipërinë, institucionet e rendit janë të përqendruara vetëm në propagandë.
“Ndërkohë që krimi po shkatërron Shqipërinë, Ministria e Brendshme merret me propagandë. Si pasojë, siguria në vend ka rënë ndjeshëm,” shprehet Balliu në postimin e tij në Facebook.
Deputeti demokrat shkon më tej në akuzat e tij, duke thënë se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë humbur rolin e tyre si garantë të rendit dhe janë kthyer në bashkëpunëtorë të krimit.
Ai ngre shqetësimin mbi praninë në rritje të personave të armatosur që qarkullojnë lirshëm në vend, pa u kontrolluar nga autoritetet, duke e quajtur këtë situatë të papranueshme për një vend që është anëtar i NATO-s.
“Si është e mundur që në një shtet anëtar të NATO-s, kaq shumë qytetarë të armatosur qarkullojnë të lirë, pa asnjë kontroll nga institucionet e rendit?”, pyet Balliu.
Sipas tij, këto janë arsyet kryesore pse Ministria e Brendshme refuzon prej kohësh të përgjigjet ndaj thirrjeve të Komisionit të Sigurisë dhe të Mbrojtjes në Kuvend për të dhënë llogari mbi gjendjen alarmante të sigurisë.
BalkanWeb