Policia e Shtetit ka finalizuar një operacion kundër veprimtarive të paligjshme, i koduar “Daily rent”, në kuadër të luftës kundër shfrytëzimit për prostitucion. Operacioni është zhvilluar nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, pas një pune intensive hetimore.
Gjatë këtij operacioni u godit një rast i shfrytëzimit të prostitucionit, duke çuar në arrestimin e një shtetasi brazilian, A. M., 25 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”. Ai dyshohet se shfrytëzonte një shtetase braziliane 24-vjeçare, G. C., për prostitucion në ambiente të ndryshme që i merrte me qira ditore në kryeqytet.
Gjithashtu, është arrestuar edhe 24-vjeçarja G. C., e cila ushtroi aktivitetin e prostitucionit dhe ndaj së cilës rëndon akuza “Prostitucioni”.
Policia procedoi penalisht edhe dy shtetas të tjerë, R. P., 22 vjeç dhe E. K., 20 vjeç, të cilët u kapën në ambientin e marrë me qira ditore në bulevardin “Zogu i Parë”, ku zhvillohej aktiviteti i kundërligjshëm.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, në banesën e marrë me qira u sekuestrua një shumë parash, e dyshuar se është përfituar nga veprimtaria e prostitucionit.
Hetimet janë ende në vijim nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me qëllim dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
BalkanWeb