“I ati auditon, i biri firmos”/ Vetting zbulon konfliktin e interesit tek Drejtoria e Tatimeve, babai i drejtorit Ilir Binaj me kompani auditimi

Emisioni investigativ Vetting, News24

Tatimet në konflikt: Babai auditon, i biri firmos
Në 2 tetor 2024, në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të emërohej Ilir Binaj, një nga personat më të përgatitur në fushën e auditimit dhe me eksperiencë ndërkombëtare në kompani prestigjioze. Emërimi i drejtorit të përgjithshëm do të ishte një sinjal pozitiv për administratën tatimore pasi fryma perëndimore dhe niveli akademik të jepnin shpresë për ndryshime dhe reformë. Megjithatë ardhja e drejtorit të ri do të ishte një formalitet, ku shkelja e përsëritur dhe mungesa e transparencës do të rrënjoseshin si standard për të bërë karrierë në administratën publike.

Duke kqyrur CV-në e kryetatimorit Binaj kupton se anomalitë që tregojnë, ashtu si ish-drejtori Klosi, edhe Binaj e ka ushtruar dhe po e ushtron detyrën në konflikt interesi, konflikt që vazhdon edhe sot.

Por kjo nuk është një histori e vetme. Paraardhës të tij janë larguar pas hetimesh për abuzime, ndërsa struktura e institucionit është zhytur në një rrjet emërimesh politike, kontratash të dyshimta dhe kapje të brendshme.

Në 3 vitet e fundit, tatimet do të ndërronin 3 drejtora duke ekspozuar krizën institucionale dhe krizën në menaxhim pasi drejtori i fundit i larguar Ceno Klosi, sot deputet i Partisë Socialiste është nën hetim nga SPAK për mashtrim dhe falsifikim të dhënash.

Kriza e administratës tatimore dokumentohet te raporti i performancës për Administratën Tatimore nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i publikuar në gusht 2022, që për ironi të fatit është bërë me kërkesë të ish drejtorit Klosi.

Por cila është historia e kryetatimorit Binaj?
Z. Binaj ka një eksperiencë të gjatë në fushën e auditimit dhe taksave, ku për më shumë se 15 vite ka punuar në kompani të ndryshme vendase dhe të huaja. Ai është i çertifikuar si Auditues Publik në Kaliforni, si Kontabilist i Çertifikuar Global i Menaxhimit në Mbretërinë e Bashkuar dhe si Auditues Ligjor në Shqipëri.

Duke lexuar CV-në në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kupton se kryetatimori Binaj është një ndër personat më të aftë, që është vendosur në krye të institucionit.

Pyetja që ngrihet është e thjeshtë:

Pse një njeri me kompani private, me fitime të larta, i punësuar në kompani ndërkombëtare duhet të marrë përsipër një punë që e ka rrogën shumë të ulët në krahasim me punën e mëparshme?

Ka disa arsye që Binaj mund të ketë bërë atë që ka bërë dhe vazhdon të bëjë, por fakt i pamohueshëm ngelet shkelja e ligjit në vazhdim dhe konflikti i interesit i vazhdueshëm me detyrën.

Madje mund të thuhet se mungesa e ndëshkimit nga SPAK ndaj ish-kryetatimorit Ceno Klosi, mund t’i ketë dhënë kurajo Binajt dhe çdo zyrtari të lartë për të mos u trembur nga konflikti i interesit. Kujtojmë se Ceno Klosi nuk duhet të ishte bërë as zv/ministër dhe deputet sepse vazhdon të jetë në konflikt interesi pasi aktualisht ka një kompani private në Angli “First Bar Limited”, që e ka fshehur te formulari i vetëdeklarimit.

Sipas avokates Margarita Kola, shembujt e mëparshëm në konflikte interesi me detyrën dhe mungesa e ndëshkimeve sjellin mungesën e frikës dhe respektit ndaj ligit. Në këtë rast, konflikti lidhet me babain e kryetatimorit Binaj.

Konkretisht Agim Binaj ka dy kompani auditimi, TPA Albania shpk dhe ASC CPAs në Shqipëri, të cilat janë të regjistruar te Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar.

Por problemi ka nisur me emërimin e Ilir Binajt në tetor 2024 pasi drejtori i tatimeve nuk duhet ta kishte pranuar detyrën pasi i jati zotëron kompani auditimi, gjë e cila është në konflikt të hapur interesi.
Sipas avokatit Muharrem Doku, ish-drejtor i auditit te Tatimet rasti konkret ka shkelje.

“Për rastin që ju thoni, është e vërtetë që ka konflikt interesi për arsye se çdo punonjës i administratës shtetërore publike, në momentin që fillon punë, sidomos në administratën tatimore, duhet të deklarojë konfliktin e interesit”, tha për “Vetting” avokati Doku.

Të njëjtin qendrim për këtë çështje ka edhe avokati Arben Llangozi.

“Në qoftë se drejtori i tatimeve kryen veprime konkrete mbi subjektet që ka babai i vet, padyshim që kemi konflikt interesi, por përveçse ka konflikt interesi, duhet parë me vëmendje nëse ka vepra penale të korrupsionit sepse njëkohësisht një person që kontrollon një subjekt që babai e auditon, duhen parë edhe veprimet. Mund të ketë veprime fiktive, që konflikti i interesit ka shkuar më tej në korrupsion”, u shpreh për “Vetting” avokati Llangozi.

Në këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ka shkelur disa nene të Ligjit nr. 9920/2008 “Për Procedurat Tatimore”, i ndryshuar, duke qenë njëkohësisht në konflikt interesi personal, konflikt interesi familjar dhe shkelje disiplinore institucionale.

Nenet 17, 22, 26 dhe 82 përbëjnë bazën ligjore mbi të cilën çdo institucion mbikëqyrës, përfshirë Ministrinë e Financave, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, mund të ndërhyjnë për hetim dhe shkarkim nga detyra.

Sipas ish-drejtorit të Auditit te Tatimet, avokatit Muharrem Doku, kjo çështje është shumë e komplikuar edhe për vetë punonjësit e administratës tatimore.

“Duke qenë se këto kompani figurojnë në emër të babait të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, aty nuk mund të ushtrojnë kontroll punonjësit e administratës tatimore sipas ligjit sepse ata mendojnë që rrezikojnë vendin e punës”, u shpreh për “Vetting” avokati Doku.

Një ligj tjetër që mund të hyjë në veprim është Ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës”, që ndalon shfrytëzimin e pozitës dominuese dhe çdo formë ndikimi që cenon barazinë mes operatorëve.

Në këtë rast, lidhja familjare mes drejtuesit të institucionit që mbikqyr kompanitë e auditimit dhe dy kompanitë private që zotërohen nga babai i tij ngre dyshime për favorizim të mundshëm, si në trajtimin tatimor, ashtu edhe në aksesin ndaj klientëve apo kontratave. Një hetim nga Autoriteti i Konkurrencës do të mund të zbulonte nëse këto kompani kanë përfituar avantazhe për shkak të lidhjeve familjare me një funksionar publik.

Në thelb, kur babai i një kryetatimori zotëron dy kompani auditimi, krijohet një zonë gri që minon integritetin e sistemit tatimor sepse çdo kontroll, vendim apo politikë e ndërmarrë nga i biri mund të perceptohet si e ndikuar nga interesat familjare. Ligjërisht ky është një rast që duhet të hetohet nga SPAK pasi kemi indicie që tregojnë se kjo situatë favorizon interesat familjare dhe personale të një zyrtari të lartë.

Sipas avokatit Llangozi, pasojat që prodhohen në këtë rast ngelen në momentin e emërimit të këtij zyrtari të lartë.

“Duhet të ishin verifikuar të dhënat nga personi që e përzgjedh dhe në momentin që ka një shkelje të tillë, nuk duhet të emërohet”, deklaroi avokati Llangozi.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×