Policia në Shkodër ka arrestuar një 35-vjeçar dhe një 39-vjeçar pasi iu gjetën lëndë narkotike me mjetin që udhëtonin.
Sipas burimeve, autoritetet dyshojnë se dy të arrestuarit e mbanin kanabisin për ta shitur. Policia sekuestroi lëndën narkotike, dy celularë dhe një mjet prerës.
Njoftimi i plotë:
Shkodër/Vijojnë kontrollet për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
U kapën në flagrancë me lëndë narkotike kanabis dhe me mjet prerës (thikë), në automjet, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen lënda narkotike, mjeti prerës, automjeti dhe 2 celularë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në të dhënat e siguruara në rrugë operative, kanë ndaluar për kontroll automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit A. Sh. dhe S. F.
Gjatë kontrollit në automjet dhe kontrollit fizik ndaj tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se ata e posedonin me qëllim shitjen në doza, dhe një mjet prerës (thikë).
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasit A. Sh., 35 vjeç, banues në fshatin Dragoç, dhe S. F., 39 vjeç, banues në Shkodër.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.