
Vetting
Kompania e kryetatimorit mbuloi koncesionin e Lotarisë Kombëtare
Babai i kryetatimorit, Agim Binaj zotëron dy nga kompanitë më të rëndësishme në fushën e auditimit, “TPA Albania” sh.p.k dhe “ACS ppp”. Ilir Binaj ka qenë aksioner tek të dyja kompanitë dhe në momentin që ka marrë detyrën te tatime ka shitur aksionet e veta. “TPA Albania” është në pronësi të babait Agim Binaj, Laura Gjinalit dhe kompanisë së huaj “VALERIANA Holding”. Disa ditë përpara se të merrte detyrën, Binaj do t’ia shiste aksionet e veta Laura Gjinalit.
“TPA Albania” shpk është një kompani në sektorin e auditimit e themeluar në vitin 2013 nën emrin Tpa Horwath Albania, duke përdorur markën TPA, e cila është e drejtë ekskluzive e kompanisë “Crow International” me seli në Nju Jork. Kjo e fundit është kompania ku vetë Binaj ka qenë i punësuar gjatë kohës që ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.
Sipas avokates Kola, në këtë rast sipas informacioneve të vendosura nga “Vetting”, nuk kemi vetëm një shkelje.
“Në mendimin tim kemi dy shkelje ligjesh, një të shmangies së konfliktit të interesit dhe tjetra të ligjit për dypunësimin”, tha avokatja Kola.
“TPA Albania” është themeluar në mars 2013 nga aksionerët Agim Binaj, Laura Gjinali, Ilir Binaj dhe kompanitë me degë në Vjenë të Austrisë. Gjatë këtyre viteve kompania do të ndryshonte dhe sillte disa herë kompani të huaja brenda grupit aksioner. Por një detaj shumë i rëndësishëm zbërthen skemën e kompanisë dhe lidhjet e kryetatimorit.

Nëse shohim në të gjitha CV-të zyrtare, Binaj e ka fshehur lidhjen me kompaninë ndërkombëtare “Crow LLP”. Edhe te faqja e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, ku tashmë ai është kryetari rezulton se nuk e ka vendosur në CV këtë fakt. Nëse shohim faqen e kompanisë, rezulton se numri i Drejtorit të Tatimeve është ende aty dhe ngelet si pikë kontakti midis bizneseve dhe atij vetë.
Sipas avokatit Doku, në këtë çështje ka edhe ndikime të tjera, që mund të favorizojnë subjektin e babait të tij si biznes, me marrëdhënie të ndryshme të subjekteve për ti mbajtur llogaritë, ose bilancet e të gjitha.
Një nga problemet që ka hapur konflikti i interesit është edhe e shkuara e kryetatimorit, që ka audituar monopolin e Lotarisë Kombëtare, e cila u dha me koncesion për 10 vite nga qeveria e Partisë Demokratike, për t’u modifikuar si marrëveshja nga qeveria aktuale në 2016. Madje pasi ndryshoi emrin dhe i mbaroi afati, ish Lotaria Kombëtare, ish “Olg project” ose “LK INVEST” është audituar nga kompania e babait “TPA Albania”.
Lotaria kombëtare i është dhënë me koncesion në vitin 2013 kompanisë austriak Albanisch Osterreichische Lotterien Holding Gesellschaft” duke sjellë përplasje midis qeverisë nga Partia Demokratike dhe Partisë Socialiste asokohe në opozitë.
Në vitin 2016, Novomatic Gaming Industries do të blinte kompaninë austriake duke përfituar indirekte dhe kontratën koncesionare të Lotarisë Kombëtare.
Në 10 vite aktivitet kompania do të dilte vetëm me humbje, ku edhe pse dilte me humbje do të vazhdonte aktivitetin, ku pasqyrat financiare do të auditoheshin nga “TPA Albania” e Ilir Binajt. Shpeshherë kompania do të ishte në qendër të vëmendjes për humbjet e vazhdueshme, në një kohë që gjatë aktivitetit të saj pati monopolin e lotarisë kombëtare.
Duke bërë përllogaritjet për shpenzimet dhe të ardhurat e kësaj kompani kupton që ka amortizim të lartë të pajisjeve dhe rroga të lartë që ndikojnë te bilanci negative. Të mos harrojmë që nëse kompania do të dilte me fitime, do të paguante 15% tatim, që për një kompani me xhiro kaq të lartë do të ishin të ardhura shtesë në buxhetin publik.
Mbas vitit 2023, kompania do të ndryshonte emrin nga “Lotaria Kombëtare” në “LK INVEST” së bashku me aktivitetin e saj duke e specifikuar në fushën e konsulencës financiare.
Nga të dhënat e siguruara nga “Vetting” rezulton se “LK INVEST” ka patur probleme pasi nuk ka deklaruar dhe paguar detyrimet tatimore sipas ligjit. Sipas auditit, informacioni i përcjellë nga Drejtoria e Tatimeve VIP nuk saktëson nëse është paguar apo jo detyrimi duke e lënë të paplotë rakordimin, problematike e cila qëndron dhe në muajin shkurt, mars, prill, maj, qershor të vitit 2018.
and then