Ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe drejtuesi i partisë Djathtas 1912, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka komentuar raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të publikuar sot, duke akuzuar dy partitë kryesore në vend për bashkëpunim në ruajtjen e sistemit aktual zgjedhor dhe përjashtimin e forcave të reja politike.
Sipas tij, raporti i ODIHR-it nxjerr në pah një realitet ku Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë vepruar në harmoni për të mbajtur të mbyllur sistemin politik: “Unë them se mes PS dhe PD ka një marrëveshje për të ruajtur status quo-në, ata të dy kundër gjithë pjesës tjetër, për të mbyllur sistemin.”
Duke iu referuar të dhënave të zgjedhjeve, ai theksoi se rezultati i Edi Ramës dëshmon pabarazinë që krijon sistemi aktual: “Me këto të dhëna, Edi Rama ka marrë 53.21% të votave, ndërsa Berisha 32%. Rama sot ka 83 mandate, pra 60% të vendeve në parlament. Ka 7% të mandateve ‘qyl’.”
Ish-deputeti kritikoi hapur reformën zgjedhore të korrikut 2024, e cila sipas tij u miratua përmes një marrëveshjeje mes dy partive kryesore: “Sistemi i miratuar në korrik 2024 u miratua me dakordësinë, unë e quaj pazar mes të dyve. Listat e mbyllura dhe fakti që u ruajt ndarja në 12 qarqe. Mbajtja në 12 qarqe është avantazh për partinë e madhe.”
Ai akuzoi Partinë Demokratike se ka pranuar të ruajë listat e mbyllura vetëm për interesa të ngushta partiake: “Propozimi ka qenë vetëm nga PD, përfaqësuesi i PD-së për të ruajtur listat e mbyllura. U kënaqën me këtë, kjo tregon nga se u udhëhoq. E kuptoj Ramën, se ka gjithë njerëzit e vet që nuk shohin e nuk dëgjojnë, por të njëjtën gjë bëri PD.”
Në përfundim, ai nënvizoi se dy partitë kryesore kanë dalë përfituese nga ky sistem, duke mbyllur hapësirat për forcat e reja dhe për opozitën reale: “Rama doli me 83 mandate dhe Berisha me 50. Nuk ka asnjë parti të re që ta gërvishtë në opozitarizmin e tij.”