Pedagogia e universitetit “Luarasi”, Arsejda Gjyli, e ftuar në studion e News24, ka komentuar raportin e OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit, i cili u publikua ditën e sotme.
Gjyli theksoi se raporti është gjithnjë “evidentues dhe kritik” ndaj proceseve zgjedhore në Shqipëri, duke luajtur një rol të rëndësishëm në identifikimin e problematikave, por pa pasur fuqi detyruese.
“Këto janë thjesht rekomandime, jo direktiva të drejtpërdrejta për shtetin shqiptar,” u shpreh ajo.
Sipas saj, OSBE/ODIHR këtë herë ka qenë “shumë e prerë” në disa konstatime, sidomos në lidhje me fushatën online, ku janë vërejtur vështirësi dhe disbalanca që mund të kenë ndikuar në barazinë e garës.
Ajo ndaloi edhe te çështja e polarizimit politik, duke theksuar se sistemi mazhoritar favorizon partitë e mëdha:
“Polariteti nuk vjen nga ndonjë abuzim, por nga vetë struktura e sistemit që i lë më pak hapësirë partive të vogla për të tërhequr elektoratin.”
Një tjetër aspekt i theksuar në raport, sipas Gjylit, është respektimi i kuotave gjinore dhe procesi i dekriminalizimit, të cilat ende mbeten problematike.
“Kemi kuotën gjinore që nuk është realizuar siç duhet dhe dekriminalizimin që nuk është zbatuar plotësisht. Kritikat e OSBE/ODIHR mbeten të përgjithshme dhe jo të konkretizuara, çka tregon një lloj evaziviteti,” tha ajo.
Sipas Gjylit, këto anomali duhet të adresohen nga një sistem drejtësie i lirë dhe i pavarur për të garantuar demokratizimin real të procesit zgjedhor.
Megjithatë, raporti përmban edhe vlerësime pozitive, veçanërisht për pjesëmarrjen e diasporës në votime, të cilën Gjyli e quajti “një hap historik me efikasitet të dukshëm”.
“Raporti nuk evidenton anomali apo përfshirje politike abuzive në votimin e diasporës, por vetëm çështje teknike që nuk cënojnë demokracinë,” theksoi ajo.
Në përfundim, Gjyli nënvizoi se edhe pse ka ende sfida, raporti njeh përmirësime të dukshme, veçanërisht në drejtim të kuotave gjinore dhe transparencës së procesit.