
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka reaguar pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke e cilësuar atë si një dokument të rëndësishëm për forcimin e integritetit zgjedhor në vend.
Në një reagim në X, Celibashi theksoi se raporti i ODIHR-it duhet të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë:
“Do të jetë shenjë serioziteti dhe përgjegjshmërie institucionale dhe politike e të gjithë aktorëve të lidhur me procesin zgjedhor, për të punuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit, si pasqyrë e plotë e këtyre zgjedhjeve.”
Ai shtoi se debati mbi vetë gjykimet e raportit nuk sjell ndonjë përfitim të vërtetë: “Gjykimet dhe vlerësimet mbi gjykimet dhe vlerësimet e ‘gjykatësit të zgjedhjeve’ nuk kanë ndonjë dobi.”
Duke u ndalur te domosdoshmëria e reformës zgjedhore, Celibashi bëri thirrje për një angazhim konkret të forcave politike, sidomos të atyre parlamentare, për të përfunduar një reformë të thellë dhe domethënëse brenda një afati njëvjeçar:
“Partitë politike, veçanërisht ato parlamentare, duhet të angazhohen për të përfunduar një reformë domethënëse zgjedhore brenda një viti.”
Sa i përket vlerësimeve ndaj vetë institucionit që ai drejton, Celibashi u shpreh se komentet pozitive të raportit për punën e KQZ-së janë një nxitje për përmirësim të mëtejshëm:
“Vlerësimet pozitive – thuajse për gjithçka që ky institucion bëri në lidhje me përgatitjen dhe administrimin e këtyre zgjedhjeve – janë shtysë për të bërë akoma më mirë atë që duhet bërë.”
Reagimi i plotë:
Do të jetë shenjë serioziteti dhe përgjegjshmërie institucionale dhe politike e të gjithë aktorëve të lidhur me procesin zgjedhor, për të punuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit, si pasqyrë e plotë e këtyre zgjedhjeve. Gjykimet dhe vlerësimet mbi gjykimet dhe vlerësimet “gjykatësit të zgjedhjeve” nuk kanë ndonjë dobi. Partitë politike, veçanërisht ato parlamentare, duhet të angazhohen për të përfunduar një reformë domethënëse zgjedhore brenda një viti. Sa i përket KQZ: Vlerësimet pozitive – thuajse për gjithçka që ky institucion bëri në lidhje me përgatitjen dhe administrimin e këtyre zgjedhjeve – janë shtysë për të bërë akoma më mirë atë që duhet bërë.
and then