Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka komentuar raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të publikuar sot, duke theksuar se problematika kryesore e procesit zgjedhor në vend lidhet me dominimin e një “partie-shtet” që kontrollon institucionet dhe përdor mekanizmat e pushtetit për avantazh elektoral.
Sipas Lubonjës, raporti i ODIHR evidenton disa shqetësime thelbësore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në barazinë e garës:
“Përdorimi i administratës, presioni ndaj administratës, përdorimi i parave të pushtetit, faljet e gjobave dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar – këto e ndryshojnë balancën në zgjedhje.”
Analisti u shpreh se problemi kryesor nuk qëndron te Kodi Zgjedhor, por te mënyra si pushteti politik e përdor sistemin në favor të vet:
“Problemi sot nuk është Kodi Zgjedhor. Ka pasur avantazh Rama edhe me kodin zgjedhor këtë herë, pasi hoqi koalicionet. Gjithsesi, po ja veshim kodin të dy partive të mëdha.”
Duke folur për rolin e partive politike, Lubonja theksoi se përgjegjësia për deformimin e garës nuk ndahet në mënyrë të barabartë midis forcave kryesore:
“Për t’i rënë shkurt, unë anoj më shumë nga zgjedhje që kontrollohen nga një parti-shtet, dhe manipulimi vjen nga kjo parti që kontrollon të gjitha institucionet. Ka një parti shtet që ka një rezultat me 83 deputetë, ndërkohë që është në mandatin e katërt – këtu është problemi.”
Sipas tij, Partia Socialiste mban përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale politike, ndërsa raporti i OSBE/ODIHR, megjithëse e prek këtë çështje, “nuk e pasqyron në shkallën reale të problematikës”.