Balluku nën hetim nga SPAK/ “Shuma të mëdha parash kanë kaluar tej oqeanit”, Llabani: Ka prova për pastrimin e parave!

Moderatorja e emisionit “Oponencë”, Anduena Llabani, e ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me hetimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Sipas Llabanit, SPAK ka regjistruar procedimin penal ndaj Ballukut si person nën hetim, me akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”, ndërsa ftesa për t’u paraqitur me avokat në institucionin e hetimeve tregon se ajo po hetohet në cilësinë e të akuzuarës, jo thjesht si person që ka dijeni për çështjen.

“Ajo që pritej në lidhje me Ballukun ndodhi. SPAK, edhe pse mori kohë, ka qenë shumë i kujdesshëm deri sa të ndërmarrë hapat e fundit ligjorë ndaj një personi me kaq pushtet. Sot kuptuam se SPAK ka nën hetim Ballukun”, tha Llabani.

Moderatorja shtoi se SPAK ka vepruar me kujdes për të shmangur përfshirjen e Kuvendit në procesin e hetimit, për shkak të imunitetit parlamentar që gëzon zv/kryeministrja.

“SPAK është treguar i vëmendshëm për të mënjanuar Kuvendin, në mënyrë që të mos kërkohet mbledhja e Parlamentit për t’i dhënë leje hetimit ndaj një anëtari të tij. Në ditët në vijim SPAK mund të marrë masa ndaj Ballukut, nëse bindet se ajo mund të prishë prova apo të ndikojë dëshmitarë”, theksoi Llabani.

Duke iu referuar dosjeve në proces hetimi, Llabani pohoi se në SPAK janë depozituar mbi shtatë kallëzime ndaj Ballukut, që lidhen me veprimtari financiare dhe menaxhimin e fondeve publike.

“Fakti që ka kaq shumë kallëzime tregon se aktiviteti i saj financiar është përtej çdo limiti. SPAK ka qenë i kujdesshëm për të mbajtur informacionin në diskrecion, por personat që kanë dorëzuar prova kanë folur. Kur vendosen sekuestrime ndaj veprave apo kur bashkëpunëtorët e saj merren në pyetje, kjo tregon se zinxhiri shkon deri te Balluku”, shtoi ajo.

Në vijim, Llabani tha se nuk mund të parashikojë nëse Balluku rrezikon masa ndalimi apo burgim, por sipas saj, hetimet po shkojnë përtej akuzës së shpërdorimit të detyrës, duke përfshirë edhe elementë të pastrimit të parave.

Ajo theksoi se ka materiale në SPAK ku flitet se shuma të mëdha parash kanë kaluar tej oqeanit, por mbetet sekret hetimor se kush i ka dërguar.

Moderatorja theksoi gjithashtu se një pjesë e bashkëpunëtorëve të afërt të zv/kryeministres janë tashmë thirrur në SPAK, ndërsa përmendi se institucioni i hetimeve ka qenë shpesh nën presion politik.

“Në rastin konkret kemi të bëjmë me numrin dy të qeverisë. Nëse mungesa e saj në SPAK të hënën justifikohet për arsye protokollare, atëherë duhet të gjendet një ditë tjetër që ajo të paraqitet”, përfundoi Llabani.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×