Gara për bashkinë e Tiranës, Gjekmarkaj: Binaj përfaqëson zërin e qytetarëve! Ka rrugë të gjatë nga pëlqimi te vota, por…

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet politike në vend dhe ka shprehur mbështetjen e tij për Florjan Binajn, kandidatin e pavarur për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e pjesshme, i cili ka marrë përkrahjen e PD-së dhe disa forcave të tjera politike opozitare.

Gjekmarkaj e vlerësoi Binajn si një profil qytetar të spikatur dhe të denjë për të përfaqësuar kryeqytetin, duke theksuar se kandidatura e tij vjen si reflektim i kërkesës së shoqërisë për një zë jashtë politikës tradicionale.

“Shoqëria ka pasur një shqetësim të madh për të pasur zërin e saj përtej politikës. Binaj është një profil jashtëzakonisht cilësor – një arkitekt në profesion, një njeri që e lexon më së miri qytetin në dinamikën e tij dhe një artist që me talentin e vet ka prekur të gjitha shqetësimet e mëdha të kësaj shoqërie. Është një familjar i rregullt dhe besoj se po bën një fushatë pozitive,” u shpreh Gjekmarkaj.

Deputeti demokrat e krahasoi kandidaturën e Binajt me atë të Ekrem Imamoglu, kryetarit të Bashkisë së Stambollit, duke theksuar se Binaj përfaqëson një frymë qytetare të re dhe një reagim të ndershëm ndaj problemeve reale të Tiranës.

“Më kujton pak Imamoglun në Stamboll, por shpresoj të mos ketë fatin e tij. Binaj flet për ajrin e ndotur, për trafikun, për mungesën e standardeve dhe për shumëçka që shqetëson sot qytetarët e Tiranës. Besoj se është zgjidhja më e mirë dhe e shoh si njeri me perspektivë dhe fitues të Bashkisë së Tiranës,” theksoi ai.

Gjekmarkaj u ndal edhe te rëndësia e vullnetit qytetar në procesin zgjedhor, duke theksuar se mbështetja që Binaj po merr në rrjetet sociale është e sinqertë dhe jo e manipuluar.

“Çdo njeri që jep pëlqimin në rrjetet sociale, e jep me mendje të vet dhe jo i patronazhuar. Ka një proces të tërë nga pëlqimi në rrjete deri te vota, që edhe OSBE/ODIHR e ka trajtuar si të manipuluar, por unë besoj se qyteti i Tiranës do dijë të reagojë,” përfundoi Gjekmarkaj.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×