
Kryetarja e Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Joana Qeleshi, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka vlerësuar punën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke theksuar se ky institucion ka arritur të fitojë besimin e qytetarëve përmes profesionalizmit dhe integritetit.
“Në pikëpamjen e integritetit, ky është i verifikuar. Prokurorët e SPAK kanë dhënë prova që trajtojnë çështjet me ndershmëri dhe kanë rritur ndjeshëm besimin publik. Nëse pyesim qytetarët, institucioni që gëzon më shumë besim sot është SPAK,” tha Qeleshi.
Ajo theksoi se pavarësisht sulmeve ndaj prokurorëve, shpesh nga politika apo qytetarë të pakënaqur, puna e SPAK ka qenë e qëndrueshme dhe profesionale. Megjithatë, Qeleshi ngriti shqetësimin për mënyrën se si në disa raste gjykatat zbatojnë masat e sigurisë, duke e cilësuar burgun si “masë të parë”, gjë që bie ndesh me frymën e ligjit.
“Ligji nuk përcakton arrestin në burg si masë të parë. Për sa kohë një person është në hetim apo në gjykim, ai prezumohet i pafajshëm. Nëse mund të qëndrojë në arrest shtëpiak, nuk ka arsye të mbahet në burg. Kjo masë duhet të justifikohet vetëm në rastet kur ekziston rreziku i arratisjes, i prishjes së provave apo i kryerjes së një vepre tjetër penale,” u shpreh ajo.
E pyetur për rastet e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ish-presidentit Ilir Meta, Qeleshi tha se nuk kishte dijeni për detajet konkrete, por parimi i pafajësisë dhe proporcionalitetit të masave duhet të vlejë për këdo.
Në vlerësimin e saj, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, ka përmbushur pritshmëritë dhe ka ngritur standarde të reja në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Mendoj se Altin Dumani i ka dhënë SPAK atë që ishte pritshmëri e tij. Ka punuar me seriozitet dhe në një kohë të shkurtër ka arritur të çojë për gjykim disa çështje të rëndësishme. Personalisht e vlerësoj pozitivisht punën e tij dhe të kolegëve,” deklaroi Qeleshi.
and then