
Profesori italian i biologjisë, Michele D’Angelo, i cili u përfshi në aksidentin tragjik të 8 gushtit në aksin Levan-Fier, është rikthyer në Itali.
Gjykata e Fierit vendosi sot zëvendësimin e masës së sigurisë ‘Arrest me burg’ me atë ‘Detyrim paraqitje’ dhe ‘Garancia pasurore’.
Sipas burimeve, profesori Italian akuzohet nga autoritetet shqiptare për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe braktisje të mjetit, pasi ndodhi aksidenti, ku si pasojë humbi jetën një 17-vjeçar.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Fierit:
Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u mor ne shqyrtim, në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, cështja penale që u përket palëve, më datë 22.10.2025, pasi mori në shqyrtimi, në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, kërkesën penale me palë:
KËRKUES: M.D, mbrojtur nga Av.Toto Avdija, me numër licence 11326, anëtar i Dhomës së Avokatisë Fier, zgjedhur me deklarim para Gjykatës, në prani të përkthyesit të licencuar Av.Admir Filaj, me licencë numër 562.
KUNDËR: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfaqësuar nga Prokuror Greta Dreni.
OBJEKTI: Zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga “Arrest në burg”, në “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, ose “Garancia pasurore”.
BAZA LIGJORE Neni 246 dhe 260 i Kodit të Procedurës Penale
PËR KËTO ARSYE
Gjykata, mbështetur në nenet 228, 229 dhe vijues dhe në nenin 260 të Kodit të Procedurës Penale,
V E N D O S I
1. Pranimin e kërkesës së kërkuesit M. D
2. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, caktuar me vendimin nr.62-2025-4585-(1305), datë 12.08.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me masat e sigurimit personal të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Garancia pasurore” e parashikuar nga neni 234 dhe 236 i Kodit të Procedurës Penale.
3. Garancia pasurore përcaktohet në shumën 15,000 (pesëmbëdhjetë mijë) Euro/ ose 1,500,000 (njëmilionepesëqindmijë) lekë dhe duhet të depozitohet brenda 5 (pesë) ditëve, nga dita e shpalljes së këtij vendimi, në një bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë.
4. Personi nën hetim M.D qëndron me masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, deri në depozitimin e shumës së garancisë pasurore, sipas këtij vendimi dhe deri në njoftimin e Prokurorit.
5. Urdhërohet Prokurori për verifikimin të dokumentacionit përkatës si dhe menjëherë dhe në çdo rast jo më vonë se 24 orë nga njoftimi për depozitimin e shumës së garancisë pasurore, të urdhërojë, sipas rastit, lirimin e menjëhershëm të personit nën hetim M.D, nëse ai nuk mbahet apo nuk duhet të mbahet për efekt të ndonjë mase tjetër sigurimi apo vendimi dënimi, ose konfirmimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.
6. Urdhërohet personi nën hetim M.D të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore, pranë Komisariatit të Policisë Fier, një herë në muaj, përkatësisht, të premten e fundit të çdo muaji, ora 14:00.
7. Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dhe Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
and then