
Të ndarë në qëndrime duken demokratët sa i takon sjelljes së opozitës në Kuvend. Në diskutimet me dyer të mbyllura në mbledhjen e grupit të PD-së, Tomorr Alizoti theksoi se sjellja e opozitës duhet të jetë e fortë, që të tregohet se s’ka parlamentarizëm. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe Luçiano Boçi, ndërkohë që Këllici ishte pro linjës që të ruheshin balancat.
DISKUTIMET
Tomorr Alizoti: Unë nuk jam radikal, besoj askush prej nesh në këtë grup. Por nuk besoj se rruga që duhet të ndjekim është të nënshtrohemi ndaj tyre. Ne kemi të drejtë të bëjmë pyetje, kemi të drejtë të flasim. Nëse na hiqen këto ne e kemi me detyrim reagimin, mos nënshtrimit, sepse po vritet thelbi i parlamentarizmit. Ata s’mund të na tregojnë ne sesi duhet të flasim, sesi duhet të vishemi. Sa respekt ka Edi Rama për Kuvendin e tregon me pjesëmarrjen në Kuvend. Ne jemi deputetë të opozitës, duke mbrojtur të drejtat tona mbrojmë parlamentarizmin. Unë nuk e mirëkuptoj dot askënd që thotë të mos reagojmë se pastaj ata na lenë të flasim. Fasadë në Kuvend ne nuk bëhemi dot. Duhet reagim, madje i fortë, që të gjithë të mësojnë që Shqipëria s’ka parlamentarizëm. Heshtja jonë është bashkëfajësi me ta në vrasjen e pluralizmit.
Belind Këlliçi: Unë mendoj se duhet të ruajmë një balancë mes reagimit dhe nevojës për të folur. Edhe unë nuk jam që të nënshtrohemi, por të gjejmë një zgjidhje sesi arrihet kjo pa humbur mundësinë për të folur.
Tomorr Alizoti: Më mirë të mos lenë të flasin sesa të nënshtrohemi. Ata po përpiqen që muajin e parë të na marrin hapësirën tonë. Kjo është e patolerueshme.
Luciano Boçi: Edhe unë mendoj që nuk duhet të nënshtroheni dhe duhet të ruajmë koherencën në qëndrimet tona. S’mund të ketë seancë nëse deputetët nuk lejohen të bëjnë pyetje. Nuk mund dhe nuk duhet t’i ikim këtij qëndrimi. Ndryshe dorëzohemi dhe mandatet tona janë të pavlera. Kryeministri shpërfill Kuvendin, Ministrat shpërfillin Kuvendin, atëherë çfarë vlere kanë mandatet tona ku nuk ushtrojmë dot kontroll parlamentar. Unë jam që ne duhet të jemi solidar me njeri tjetrin mbi të gjitha dhe të mbështesim njëri tjetrin.
and then