“Duhet një shkundje e të gjithë shoqërisë”, Salianji bën thirrje për protesta: Opozita të vrasë frikën dhe të nisë përballjen me Ramën

Ervin Salianji i bën thirrje opozitës për të nisur protestat me qëllim largimin e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama. Marrja nën hetim e Belinda Ballukut, tha Salianji, duhet t’i shërbejë PD-së dhe opozitës në tërësi për të organizuar protesta të fuqishme.

“Edhe ky rast duhet të shërbejë që opozita të organizojë protesta të fuqishme, për të treguar që kjo nuk mund të normalizohet dhe as të pranohet. Duhet një shkundje e të gjithë shoqërisë, e të gjithë apatisë së shoqërisë që të reagojë për këto situata”, tha Salianji.

Ai tha se shoqëria duhet të zgjohet nga apatia, ndërsa shtoi se detyra e opozitës është të vrasë frikën dhe të nisë përballjen me Edi Ramën.

“Opozita duhet të frymëzojë për të vrarë frikën dhe të jetë opozita dhe të gjithë drejtuesit e saj në ballë të kësaj përballje me Edi Ramën”, vijoi ai.

Pjesë nga intervista e Salianjit

Nisida Tufa: Nuk është se ka një frymë për të protestuar…

Ervin Salianji: Besoj se ka një frymë revolte tek qytetarët dhe këtë e ndjej në çdo takim.

Nisida Tufa: Por jo për të kthyer besim tek opozita…

Ervin Salianji: Nuk po them të dalin për t’i dhënë besim opozitës. Vjedhja nuk i bëhet vetëm opozitës, PD-së, por vjedhja e fondeve publike i bëhet çdo qytetari, padrejtësia i ndodh çdo qytetari, përdorimi i institucioneve publike për interesin personal të Edi Ramës i ndodh çdo qytetari. Nëse në të kaluarën ka ndodhur që nuk ka patur reagim, ose ka patur reagim nga shtëpia, duhet që të gjithë qytetarët të mblidhen para institucioneve për të larguar Edi Ramën. Nuk po qeveris me besim apo program, por përmes frikës. Bën burgosje politike, e kam provuar vetë, bën goditje për interesa politike dhe ju e keni provuar vetë kur nuk i nënshtrohesh linjës editoriale që do Edi Rama dhe i jep mundësi publikut, siç ka ndodhur me grupin tuaj mediatik ai vendos tritolin, vendos gjobat, shkon në absurditete ku persona që duhet të jenë të izoluar për shkak të rrezikshmërisë siç janë drejtuesit e tatimeve në këtë vend, kanë guximin që të vendosin gjoba për një godinë e cila e ka parë e gjithë Shqipëria që është shembur para 3 vitesh dhe kërkojnë tatim. Nuk ka ndonjë ndryshim Edi Rama që vret institucione në këtë vend me ata rrugeçërit në rrugë që vrasin “pse më pe shtrembët”? A duhet të ketë reagim të shoqërisë? Besoj se po. Revoltë ka. Opozita duhet të frymëzojë për të vrarë frikën dhe të jetë opozita dhe të gjithë drejtuesit e saj në ballë të kësaj përballje me Edi Ramën.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×