100-vjetori i Klubit të Futbollit “Besa” të Kavajës, Presidenti Begaj në ceremoni: Vlera e madhe qëndron te tifozët

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e 100-vjetorit të Klubit të Futbollit “Besa” të Kavajës.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Presidenti i Republikës vlerësoi kontributin e themeluesve të këtij klubi dhe gjeneratave të mëpasshme të sportistëve dhe trajnerëve që e ruajtën ekipin për një shekull, duke e shndërruar atë dhe futbollin në një frymë përbashkuese dhe simbol shpirtëror të qytetarëve të Kavajës.  

“Në historinë e Besës gjejmë edhe historinë e Kavajës sonë të dashur”, – u shpreh Presidenti Begaj, duke e cilësuar Kavajën si qytetin e njerëzve të besës, të besimit fetar dhe respektit ndaj besimit të tjetrit, si qytetin pishtar të demokracisë në Shqipëri dhe që futbollin e ka pjesë të identitetit të vet.

Kreu i Shtetit, gjatë fjalës së tij, përmendi emrat legjendarë të ekipit të futbollit Besa, si: Qamil Teliti, Qemal Vogli, Shefqet Topi, Agim Dizdari, Dhimitër Dimroçi, Naim Allaj, Muharrem Karriqi, Nimet Mërhori, Zenel Kashami, Bujar Pagria, Xhavit Daiu, Agron Kariqi, Besnik Dyla, Dash Bajaziti, Sotir Shkurti, Altin Raklli, Sokol Cikalleshi e  Andi Lila, e deri te më të rinjtë, Mario Dajsninani dhe Tedi Cara, që nderuan e vijojnë ta nderojnë fanellën e Besës ndër vite.  

“Vlera e madhe e Besës, – theksoi Presidenti Begaj, – qëndron te shpirti i tifozërisë së saj, që e ndoqi kudo dhe vijon ta mbështesë me gjithë shpirt, siç kavajasit bëjnë kur duan dhe besojnë te një vlerë”.  

Kreu i Shtetit u shpreh se ekipi i Besës duhet të mbështetet jo vetëm për  këto vlera dhe jetëgjatësinë  e një shekulli si ekip, por edhe për faktin se futbolli mbetet gjithmonë një frymëzim për të rinjtë dhe është një investim i vlefshëm për çdo komunitet.
Në këtë 100-vjetor të ekipit Besa të Kavajës, Presidenti i Republikës shprehu mirënjohje për të gjithë ata që e ndërtuan këtë histori, trajnerët që formuan breza sportistësh, futbollistët që dhanë gjithçka për fanellën, tifozët kavajas që kurrë nuk e lanë skuadrën vetëm, në fitore apo humbje, si dhe ata që kanë kontribuar për dokumentimin e historisë së Besës.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×