Deputeti i PD, Boçi denoncon mungesën e energjisë në Theth, Bogë dhe Razëm: Zemra e turizmit shqiptar ka 3 ditë në errësirë totale

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka reaguar me tone të forta ndaj situatës së krijuar prej tre ditësh në zonat turistike të Thethit, Bogës, Razmës dhe zonave përreth, të cilat sipas tij ndodhen pa energji elektrike.

Në një postim në Facebook, Boçi e cilësoi situatën “skandaloze”, duke thënë se mungesa e energjisë po dëmton rëndë turizmin dhe ekonominë lokale.

“Prej tre ditësh zemra e turizmit natyror të Shqipërisë është në errësirë totale për shkak të mungesës së energjisë. Pa filluar ende dimri, shteti është dorëzuar totalisht,” shkruan Boçi.

Sipas tij, bizneset lokale rrezikojnë falimentimin, ndërsa banorët përballen me kushte “afër jetesës mesjetare”. Deputeti demokrat akuzoi kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, si dhe OSHEE-në, për papërgjegjshmëri të plotë, duke e lidhur situatën me “urrejtjen e qeverisë ndaj Veriut” dhe “projektet e errëta për të dëmtuar biznesin vendas”.

“Për një vend që pret të hyjë në Europë, kjo është e paimagjinueshme. Në shtetin e sheikut të Ballkanit, e pabesueshmja është kthyer në normalitet,” shton Boçi, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për “arrogancë dhe dështim”.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×