Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë, nga ulja e komisioneve tek ‘instant payments’

Rritja e pagesave elektronike në ekonomi, përveçse nga turizmi dhe nga zhvillimi i tregut, po nxitet në një masë të madhe edhe nga nismat e institucionit rregullator.

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa nisma që në mënyrë direkte apo indirekte kanë nxitur formalizimin e pagesave dhe kanalizimin e tyre brenda sektorit financiar, me fokus më specifik sidomos kanalet dixhitale.

Në vitin 2020, Banka e Shqipërisë vendosi të rregullonte komisionet e transfertave bankare në Lek.

Masat e atëhershme parashikonin përjashtimin nga komisionet për transfertat e vogla deri në 20 mijë lekë që kryheshin nëpërmjet kanaleve dixhitale. Sipër kësaj shume, komisionet për pagesat elektronike duhet të ishin të paktën 50% më të lira se ato në degë.

Në vitin 2022, ngritja e sistemit kombëtar për pagesat në Euro, AIPS Euro, mundësoi uljen e ndjeshme të komisioneve të transfertave në Euro brenda vendit dhe rritjen e volumeve të tyre brenda sektorit bankar.

Në nëntor të vitit të kaluar, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në SEPA, ndërsa nga 7 tetori, bankat shqiptare filluan operacionet në të. Hyrja në SEPA mundëson uljen e kostove dhe të afateve për kryerjen e transfertave ndërkombëtare.

Në shtator të këtij viti, Banka e Shqipërisë miratoi edhe një paketë të re ndryshimesh në rregulloret e sistemeve të saj të pagesave.

Këto ndryshime parashikojnë ulje të mëtejshme të komisioneve për transfertat bankare brenda vendit, në Lek dhe në Euro, si dhe aplikimin e limiteve të njëjta për transfertat kombëtare dhe ndërkombëtare në Euro.

Banka Qendrore po punon njëkohësisht edhe në projekte të tjera që pritet t’i japin më shumë shtysë përdorimit të pagesave elektronike në ekonomi.

Projekti i radhës madhor i Bankës së Shqipërisë në fushën e pagesave është edhe ai instant payments, ose i pagesave të shpejta.

Ky projekt parashikon klonimin e sistemit të përdorur nga Banka e Italisë, sipas një marrëveshjeje të arritur mes palëve.

Sistemi jo vetëm do të mundësojë kryerjen e transfertave pothuajse në kohë reale, por do t’u hapë rrugën edhe produkteve të reja, që do të konkurrojnë pagesat me kartë. Ngritja e këtij sistemi do të krijojë hapësira për një përdorim të gjerë të pagesave me QR Code.

Gjenerimi i QR Code do të jetë i unifikuar, do të jetë një sistem i centralizuar dhe do të mundësojë shfaqjen e tij në çdo aplikacion, pavarësisht se cili institucion e përdor. Me një skanim të thjeshtë, mundësohet kryerja e pagesës për disa sekonda.

Ngritja e sistemit TIPS ka si afat paraprak qershorin e vitit 2026, megjithatë nga puna e deritanishme në Bankën e Shqipërisë mendohet se ky afat mund të jetë pak ambicioz.

Fakti që rishtazi në projekt është futur edhe një vend tjetër i Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut, mund të bëjë që këto afate të rishikohen.

Procesi është kompleks, sepse nuk përfshin vetëm Bankën e Shqipërisë, por kërkon investime dhe zhvillim kapacitetesh edhe për bankat tregtare. Sipas parashikimeve të fundit të Bankës Qendrore, përdorimi i sistemit të instant payment mund të fillojë në vjeshtën e vitit 2026.

Një ndërhyrje tjetër që pritet të ulë kostot e pagesave elektronike është ulja e komisioneve të skemave të pagesave me kartë, kryesisht Visa dhe Mastercard.

Në vitin 2015, Komisioni Europian vendosi nën rregullim këto tarifa (interchange fees), duke përcaktuar një nivel maksimal prej 0.2% për pagesat me kartë debiti dhe 0.3% për pagesat me kartë krediti.

Banka e Shqipërisë ka vendosur të adoptojë këtë rregullore, si pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian. Vendosja e limiteve mbi këtë element të kostos pritet të sjellë një ulje të ndjeshme të komisionit total që paguajnë tregtarët për shitjet me kartë.

Banka e Shqipërisë vlerëson se komisionet do të ulen në nivelin e 1% të transaksionit.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë do të ndalojë praktikën e përcjelljes së komisioneve nga tregtarët te klientët që kryejnë blerje me kartë.

Ulja e komisioneve për pranimin e pagesave me kartë pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në përdorimin e cash për transaksionet ekonomike.

Një akses më i gjerë në pagesat me kartë gjithashtu do të lehtësonte pagesat sidomos nga turistët e huaj, që shpesh detyrohen të përdorin tërheqjet cash në ATM-të e zonave turistike, shërbim ky që për nga natyra e vet është i kushtueshëm./ Monitor.al


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×