PD denoncon abuzim me fondet në Bashkinë Tepelenë: SPAK të ndërhyjë urgjent, nevojitet hetim

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Genta Vangjeli, në një deklaratë për shtyp nga selia blu ka denoncuar një rast abuzimi me fondet në Bashkinë e Tepelenës.

PD ka kërkuar ndërhyrjen urgjente të SPAK-ut për hetimin e plotë të tenderave të dyshimtë të zhvilluar nga Bashkia Tepelenë.

Deklarata:
Bashkia Tepelenë, e drejtuar nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, ka treguar se nuk ka pasur asnjëherë në qendër të vëmendjes mirëqenien e qytetarëve, por përvetësimin e fondeve publike në xhepat e drejtuesve vendorë.

Me bekimin e kryetarit të bashkisë, Tërmet Peçi, pas Lorenc Bamit, drejtori i radhës që është kujdesur që taksat e tepelenasve të përfundojnë në xhepat e familjarëve është Arta Shaha, e cila ka mbajtur detyrën e Drejtorit Ekzekutiv për aktivitetet kulturore pranë kësaj bashkie.
Sipas të dhënave zyrtare të Spending Data, bashkëshorti i saj, Çelik Shaha, në konflikt të qartë interesi, ka përfituar fonde publike të prokuruara nga Bashkia Tepelenë për projekte kulturore e të tjera, në një vlerë prej të paktën 154 mijë euro.
Pavarësisht këtyre aferave, Partia Socialiste ka vendosur të kandidojë për këtë bashki një tjetër emër të denoncuar më parë nga opozita, ish-komandantin e Gardës së Republikës, Gramos Sako.

Dosja e tij në procesin e vetingut ngre dyshime serioze mbi standardet e përzgjedhjes dhe filtrat moralë që duhet të kenë kandidatët për poste publike.

Në lidhje me fondet publike, kompania ‘2T shpk’, në pronësi të vëllait të Gramos Sakos, rezulton sipas Spending Data të ketë përfituar rreth 103 milionë euro nga kontratat publike.

Vetëm nga Bashkia Tepelenë, kjo kompani ka përfituar 1.8 milionë euro për projektet e ujësjellësit në Salari, Nivicë, Rexhinë dhe Peshtan.
Megjithë pagesat e kryera, banorët e zonës denoncojnë mungesën e ujit në Salari dhe Rexhinë, ndërsa në Peshtan ujësjellësi nuk funksionon prej 5 vitesh.

Këto fakte janë prova të qarta të abuzimit me fondet publike dhe kërkojnë ndërhyrjen urgjente të SPAK-ut për hetimin e plotë të tenderave të dyshimtë të zhvilluar nga Bashkia Tepelenë.
Është e qartë se kandidati i Partisë Socialiste do të ketë prioritet tenderat për kompaninë e vëllait, dhe jo mirëqenien e qytetarëve të Tepelenës.

Partia Demokratike u bën thirrje qytetarëve të mos pranojnë më klientelizmin, korrupsionin dhe investimet fiktive, por të zgjedhin ndryshimin që sjell transparencë, ndershmëri dhe zhvillim të vërtetë.
Më 9 Nëntor, voto Gabriel Guma, voto për ndryshimin që i shërben qytetarëve të Tepelenës!


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×