
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku se po përpiqet t’i shmanget paraqitjes në SPAK, ku pritet të njihet me akuzat penale që rëndojnë mbi të.
Në një postim në Facebook, Bardhi tha se Balluku ka sajuar një “vizitë zyrtare” në Bullgari për të mos u paraqitur të hënën në Prokurorinë e Posaçme, sipas fletëthirrjes që i është dërguar.
“Ashtu siç paralajmërova, për të mos shkuar të hënën në SPAK, ku duhet të njihet me akuzën penale për vetëm një nga shumë vjedhje të saj, Belinda Balluku raportohet se ka sajuar një vizitë në Bullgari,” shkruan Bardhi.
Ai ironizoi vizitën e saj, duke thënë se Balluku mund të mbajë një “masterclass” mbi mënyrat e abuzimit me tenderat publikë, përmendur disa raste konkrete:
– “Si të zhdukësh 50 milionë euro si në tunelin e Llogarasë”;
– “Si të vjedhësh 180 milionë euro në shit-blerje energjie”;
– “Si të përvetësosh 5 milionë euro në një digë hidrocentrali, si në rastin e Zadejës”;
– “Si të avullosh 80 milionë euro me anije termocentral, që nuk u vunë kurrë në punë.”
Bardhi thekson se përpjekjet e Ballukut për të shmangur drejtësinë “mund të zgjasin pak”, por sipas tij “stacioni final i saj do të jetë burgu i grave në Pojskë”.
“Herët a vonë, një ndalesë do ta bëjë patjetër në SPAK,” përfundon kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.
and then