
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ku u diskutua progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe hapat e ardhshëm drejt hapjes së grupkapitullit të fundit të negociatave.
Pas takimit, ministrja Spiropali ndau një postim në rrjetet sociale me mbishkrimin: “‘Muri i Zgjerimit’ në zyrën e Komisioneres Kos, një pasqyrë e progresit dhe suksesit të Shqipërisë, me 5 grupkapituj të hapur në 11 muaj, ndërkohë që brenda këtij viti presim të hapim grupkapitullin e fundit – një investim themelor në rrugën e pandalshme të transformimit dhe integrimit të Shqipërisë.”
Gjatë dialogut me ministren, Komisionerja Kos vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në procesin e negociatave: “Siç mund ta shihni këtu, një nga vendet më të suksesshme në grupin e zgjerimit është Shqipëria, me pothuajse të gjithë grupkapitujt e hapur, përveç një të fundit. Me ndihmën tuaj, zonja ministre, shpresoj se do ta ndryshojmë këtë ngjyrë (të grupkapitullit të fundit) nga e kuqe në të verdhë në muajin nëntor. Jam gjithashtu e lumtur që ju keni popullin më pro-evropian, me 92% që mbështesin anëtarësimin e vendit, dhe kjo ju bën kaq të veçantë.”
Nga ana e saj, ministrja Spiropali theksoi se progresi i vendit është rezultat i përkushtimit të institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë ndaj projektit evropian:
“Shqipëria po ecën përpara sepse kjo reflekton vokacionin e qytetarëve tanë. Jemi vendi më pro-evropian në rajon dhe ndoshta në Evropë. Këtë frymë duam ta përkthejmë në momentum për hapjen e grupkapitullit të fundit dhe përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027.”
Spiropali nënvizoi gjithashtu rëndësinë e meritës dhe reformave si bazë e procesit të integrimit: “E kuptojmë plotësisht se ky është një proces i bazuar në merita, që udhëhiqet nga reformat. Të gjitha ekipet tona janë duke punuar ngushtë me Komisionin Evropian. Dua sinqerisht të shpreh mirënjohjen për lidershipin dhe komunikimin e qartë të Komisioneres Kos, si dhe për momentumin që ajo i ka dhënë procesit të zgjerimit, duke e bërë të qartë se ky është një prioritet gjeostrategjik për sigurinë e rajonit dhe të Evropës.”
Në përfundim të takimit, Spiropali theksoi se Shqipëria e sheh integrimin si një moment transformues, jo thjesht burokratik: “Shqipëria është një vend evropian. Jemi pjesë e saj që nga fillimi i kohës dhe tani jemi gati të qëndrojmë me Evropën brenda Unionit.”
and then