
Në fund të tremujorit të tretë të vitit 2025, raporti i borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto shënoi një ulje të lehtë, duke arritur në 53.45% të PBB-së, nga 54.21% që ishte në fund të vitit 2024, sipas të dhënave të Ministrisë Financave.
Pavarësisht kësaj rënieje relative, borxhi publik është rritur në vlerë absolute, duke u ngjitur në mbi 1.400 miliardë lekë në fund të shtatorit 2025, nga 1.364,9 miliardë lekë në dhjetor 2024. Kjo rritje prej rreth 36 miliardë lekësh ose2.6 për qind pasqyron efektin e disbursimeve të reja, ndërkohë që rritja më e lartë e PBB-së ka ndihmuar në përmirësimin e raportit borxh/PBB.
Të dhënat tregojnë se borxhi i brendshëm përbën 30.85% të PBB-së, ndërsa borxhi i jashtëm 22.6%, duke konfirmuar një strukturë më të ekuilibruar të huamarrjes.
Ministria e Financave vlerëson se reduktimi i raportit të borxhit ndaj PBB-së është tregues i një përmirësimi gradual të qëndrueshmërisë fiskale, megjithëse shërbimi i borxhit dhe rreziku i rifinancimit mbeten faktorë që kërkojnë monitorim të kujdesshëm në kushtet e normave të larta të interesit në tregjet ndërkombëtare.
Raporti i borxhit të përgjithshëm të qeverisë qendrore duke përfshirë edhe borxhin e garantuar ndaj PBB-së ka ndjekur një tendencë të qartë rënëse në dy vitet e fundit.
Pas kulmit që arriti gjatë periudhës së pandemisë, në vitin 2020, kur borxhi publik u ngjit në 73.9% të PBB-së, niveli i detyrimeve shtetërore nisi të stabilizohet dhe më pas. Në vitin 2021, raporti mbeti pothuajse i pandryshuar, në 74.1%, për të hyrë më pas në një fazë të qartë rënieje: 64.1% në vitin 2022, 57.6% në 2023, dhe 54.2% në fund të vitit 2024.
Sipas Buletinit Statistikor të Borxhit për tremujorin e tretë të vitit 2025, raporti vijoi të përmirësohet, duke zbritur në 53.45% të PBB-së, niveli më i ulët i regjistruar që nga viti 2015. Megjithatë, kjo ulje relative ndaj PBB-së nuk ka ardhur për shkak të një reduktimi të borxhit në vlerë absolute, përkundrazi, stoku i borxhit është rritur në 1.400,7 miliardë lekë, nga 1.364,9 miliardë lekë në fund të vitit të kaluar.
Rritja e PBB-së nominale dhe forcimi i lekut ndaj valutave kryesore kanë ndihmuar në përmirësimin e këtij raporti, duke e bërë borxhin më të qëndrueshëm në raport me kapacitetin e ekonomisë për ta shërbyer.
Struktura e borxhit tregon se 30.85% e PBB-së përfaqësohet nga borxhi i brendshëm, ndërsa 22.6% nga borxhi i jashtëm, duke sinjalizuar një tendencë drejt rritjes së peshës së huamarrjes në tregun vendas.
Në terma makroekonomikë, ulja e raportit të borxhit me PBB-në interpretohet si një sinjal pozitiv për stabilitetin fiskal dhe aftësinë e qeverisë për të ruajtur besueshmërinë financiare./Monitor
and then