Kreu i SPAK, Altin Dumani, mori pjesë në takimin hyrës të projektit të Bashkimit Europian për Edukimin dhe Qeverisjen Rajonale “EU4EduGovRegAL” në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, financuar nga BE ku mbajti një fjalë para studentëve të këtij universiteti në Gjirokastër.
Dumani, duke folur për arritjet e SPAK, u shpreh se vlerësimet në raportet ndërkombëtare për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë për të përmirësuar rezultatin në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024 të Transparency International.
“Takimet me studentët na japin energji dhe na kthejnë pas në kohë, kur ëndrrat tona ishin më të mëdha se ne. Aktualisht, dua t’ju nxis që të përkushtoheni për t’i realizuar ato, në dobinë tuaj dhe në shërbim të vendit tonë.
Tema që na ka mbledhur sot është më shumë se një projekt; është një vizion për mënyrën se si duam të jetojmë dhe të kontribuojmë për një shoqëri më të drejtë, të ndershme dhe të denjë për familjen europiane”, tha Dumani.
Kreu i SPAK u shpreh se “në vetëm 6 vite, SPAK ka arritur të zbatojë parimin se asnjë nuk është mbi ligjin. Janë ngritur akuza të rëndësishme ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, të mesëm, gjyqtarë e prokurorë duke treguar që drejtësia është e barazuar me ligjin”.
“Një tjetër arritje e rëndësishme ka qenë goditja e grupeve të organizuara kriminale, përmes hetimeve të ndërlikuara financiare dhe ndërkombëtare, duke përdorur mjete bashkëkohore hetimi, përfshirë ndjekjen e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Përmes vendimeve të Gjykatës së Posaçme dhe sekuestrimeve të mëdha të aseteve, përfshirë edhe kriptovalutat, SPAK ka fituar besimin e publikut, një ndër elementët më të rëndësishëm të funksionimit të drejtësisë. Unë besoj se çdo gjë nis nga mënyra individuale se si studiojmë, punojmë dhe sillemi në shoqëri”, nënvizoi Dumani.
and then