“OLAF gjeti shkelje në program”, opozita kërkesë Kuvendit: Të ngrihet Komision Hetimor për fondet e IPARD II në bujqësi

Pas refuzimit të mazhorancës për të zhvilluar një mocion me debat mbi fondet e programit IPARD në bujqësi, deputetët e opozitës kanë kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për këtë qëllim.

OLAF i rekomandoi Komisionit Evropian që ta konsideronte një pjesë të financimit të thirrjes së parë dhe të dytë për programin IPARD II në shumën 33 milionë euro të papranueshme, çka më pas solli edhe pezullimin e këtyre fondeve. Po ashtu, u pezulluan edhe fondet e programit IPARD III në shumën 112 milionë euro.

Sipas opozitës, Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij:
(i) Kontrollin e zbatimit të Marrëveshjes Kuadër IPA II dhe Marrëveshjes Sektoriale IPARD II ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian;
(ii) Verifikimin e procesit të përzgjedhjes, miratimit dhe financimit të aplikimeve fituese të fondeve të programit IPARD II;
(iii) Analizimin e respektimit të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale nga përfituesit e fondeve IPARD II në fazën e zbatimit të projekteve;
(iv) Identifikimin e shkeljeve dhe parregullsive të mundshme në administrimin e fondeve të programit IPARD II, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale;
(v) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, llogaridhënies dhe transparencës në administrimin e ndihmës financiare të Bashkimit Evropian dhe fondeve publike, në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës dhe mbikëqyrjes parlamentare;
(vi) Të angazhohet për të propozuar për miratim të gjitha masat e nevojshme ligjore që të shmangen në të ardhmen situatat e evidentuar në raportin e hetimit të Zyrës së Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve (OLAF), dhe që mbrojnë interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale, duke propozuar masat konkrete që janë të nevojshme që institucionet përgjegjëse të Bashkimit Europian të rekomandojnë zhbllokimin e fondeve për Shqipërinë për programin IPARD III.
Komisioni propozohet të ketë në përbërje 11 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×