
E marta e sotme në Shqipëri u shënua nga një sërë ngjarjesh të rënda me pasojë vdekjen, me vrasje që ndodhën në Durrës, Tiranë dhe Berat.
Qyteti i Durrësit u trondit pas një krimi makabër në familje, ku një 25-vjeçar, i identifikuar si Marjan Kodheli goditi për vdekje babain 69-vjeçar me thikën e bukës.
Më pas ai u arratis për rreth dy orë, ndërsa më vonë u vu në pranga nga autoritetet.
Vrasja tjetër u regjistrua në kryeqytet, ku picieri i lokalit City Lounge në zonën e Komunës së Parisit, Filip Shehu goditi për vdekje kolegun e tij, kuzhinierin Indrit Ismaillari.
Shehu u arrestua shumë pranë vendit të ngjarjes, ndërsa 34-vjeçari ndërroi jetë nga 3 plagët e marra pasi u transportua në spital.
Bilanci u rëndua më tej pas një tjetër krimi me pasojë vdekjen, i cili ndodhi në afërsi të kalasë së Beratit.
Një 63-vjeçar, i identifikuar si Kristo Mema, me precedentë të mëparshëm penalë në Greqi për vrasje punonte në zonë me një kalë duke ofruar xhiro për vizitorët.
Mema goditi për vdekje 42-vjeçarin Keli Hoxha, banues në Tiranë, i cili ishte duke vizituar Beratin. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti banal për kalin që i përkiste Memës, i cili tashmë ndodhet në kërkim nga autoritetet.
and then