
Analisti Arben Meçe ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin Log në News24, ku komentoi sondazhin e realizuar nga eksperti italian Antonio Notto për Bashkinë e Tiranës.
Në sondazh, qytetarët e Tiranës kanë renditur trafikun si problemin më shqetësues që kërkon zgjidhje. Sipas Meçes, kjo zgjedhje është plotësisht e arsyeshme, pasi trafiku është shkaktari kryesor i ndotjes në kryeqytet, duke përfshirë substanca kancerogjene dhe ndotës të tjerë të rrezikshëm.
“Qytetari i Tiranës ka treguar inteligjencë. Ai kërkon që gjëja e parë që duhet të zgjidhë bashkia është trafiku, sepse ai gjeneron një mori problemesh. Trafiku përfshin të gjithë qytetarët, pavarësisht fashës sociale,” – u shpreh Meçe.
Ai shtoi se për shumicën e qytetarëve përballja me trafikun është e përditshme dhe e lodhshme.
“Në çdo familje ka ballafaqim me trafikun. Kur del në rrugë, në majë të hundës të vjen trafiku, jo ndërtimi. Nervat acarohen kur qëndron me orë të tëra në bllokime,” – tha ai, duke shtuar se pjesa dërrmuese e ndotjes në Tiranë vjen nga trafiku dhe djegia e miliona tonëve karburant që përmbajnë plumb dhe substanca kancerogjene.
Sipas Meçes, situata aktuale në rrugët e kryeqytetit është “një terror i vërtetë” si për drejtuesit e mjeteve, ashtu edhe për këmbësorët, ndërsa kërkoi menaxhim më të mirë të sistemit urban të Tiranës.
and then