Tedi Blushi: Partia e Lirisë e vendosur për përshpejtimin e integrimit europian dhe respektimin e standardeve demokratike

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka bërë të ditur se në kuadër të takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Europian, është zhvilluar sot një takim me delegacionin e Parlamentit Europian.

“Së bashku me kolegët e Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, deputetët Z. Edmond Haxhinasto, Znj. Erisa Xhixho dhe Znj. Brunilda Haxhiu, vlerësuam rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe plotësimit sa më parë të kritereve që duhet të përmbushë vendi ynë,” – deklaroi Blushi.

Ai theksoi kontributin e gjatë të Partisë së Lirisë dhe të Presidentit të saj, Z. Ilir Meta, në procesin e integrimit europian.

“Rikonfirmuam qëndrimin e palëkundur për avancimin e këtij procesi, duke vijuar angazhimin e vendosur për forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, garantimin e votës së lirë, sundimin e ligjit, ekonominë e lirë dhe konkurruese, si dhe respektimin e lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor,” – u shpreh Blushi.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Partisë së Lirisë i njohën eurodeputetët me situatën e liderit të tyre, Ilir Meta. “Prej më shumë se një viti, Z. Meta, lideri i forcës së dytë opozitare dhe i tretë politik në vend, ndodhet në izolim ekstrem pa fakte dhe pa prova penale, nën masa represive dhe antiligjore, i rrëmbyer në mënyrë kriminale dhe i burgosur politik me urdhër të Edi Ramës,”, deklaroi Blushi.

Sipas tij, “standardet kriminale të rrëmbimit të Z. Meta kanë vulosur edhe standardet e hetimit, fund e krye politike, në kundërshtim me ligjet, Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut”.

Blushi gjithashtu theksoi gjetjet e raportit të OSBE–ODIHR për zgjedhjet e 11 majit. “Zgjedhjet nuk ishin as të lira, as të barabarta, as të ndershme dhe as të fshehta. Opozita kishte përballë partinë-shtet,” – tha ai, duke shtuar se këto gjetje “konfirmuan shqetësimet dhe denoncimet e ngritura prej kohësh nga Partia e Lirisë dhe opozita shqiptare”.

Në përfundim, zëdhënësi i PL nënvizoi se “Partia e Lirisë mbështet me vendosmëri ecurinë e procesit të integrimit, por thekson se standardet e Bashkimit Europian duhet të plotësohen në mënyrë cilësore e të qëndrueshme, duke i shërbyer krijimit të një standardi europian për jetesën e qytetarëve shqiptarë”.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×