Dita Kombëtare e Aktivizmit 2025, “GreenAL” mbështet organizatat mjedisore shqiptare, Bejko: Aktivizmi qytetar, themel i demokracisë funksionale

Në Tiranë u zhvillua Dita Kombëtare e Aktivizmit 2025, një ngjarje gjithëpërfshirëse që këtë vit i kushtohet mbrojtjes së mjedisit. Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit GreenAL i cili financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar me fondet e Qeverisë Suedeze, dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV.

Drejtoresha ekzekutive e Co-Plan, Anila Bejko, theksoi rëndësinë e angazhimit qytetar në çështjet mjedisore.

“Përballë çdo problematike madhore që ne po shohim sot në shqipëri ka organizata  mjedisore ka aktivistë të cilët po përpiqen ti japin zgjidhje dhe të sjellin alternativa.

Aty ku natyrës shqiptare i mungon zëri organizatat apo aktivistët po përpiqen që të krijojnë hapësira diskutimi debate veprimi dhe që janë instrumentat kyç për të çuar përpara dhe për të zgjidhur problematikat mjedisore.

Mbi të gjitha janë instrumenta të domosdoshëm për të ndërtuar një shoqëri demokratike të shëndetshme dhe një demokraci funksionale dhe njëkohësisht për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”, tha Bejko.

Kjo ditë mblodhi përfaqësues të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistë nga i gjithë vendi.

Pjesë e takimit ishte edhe Erik Illes, Kreu i Zyrës për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ambasadën Suedeze në Tiranë i cili foli për rëndësinë e aktivizmit në funksion të mbrojtjes së mjedisit.

“Si mund të ndihmojmë që ta bëjmë këtë botë një vend më të mirë? Si mund t’i reduktojmë emetimet më shpejt? Si të krijojmë zhvillim të qëndrueshëm të gjelbër për të gjithë ne?

Mendoj se mund të ndodhë tani. E di që është takimi i tetë, por është takimi më i rëndësishëm, sepse jemi në një moment të rëndësishëm kur shohim kaq shumë njerëz duke ecur në mënyrë direkte nga mohimi te dëshpërimi.

Të mohosh rreziqet me të cilat përballemi  është dicka e rehatshme, sepse për sa kohë që je në fazën e mohimit nuk ke pse të bësh asgjë për të”, tha kreu i Zyrës për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ambasadën Suedeze në Tiranë.

Në kuadër të ceremonisë, u ndanë edhe çmimet e aktivizmit mjedisor, për të vlerësuar ata që po e kthejnë mbrojtjen e mjedisit në një mision të përditshëm.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×