Eliminimi i gjyqtarit Astrit Kalaja, 3 vrasjet e djeshme dhe…/ Balliu për situatën e sigurisë në vend: Rrugët mbushen me gjak, Koçiu vijon propagandën me monopatina

Deputeti i PD Klevis Balliu, në një deklaratë për mediat nga selia blu ka folur në lidhje me situatën e vështirë ku ndodhet vendi sa i përket sigurisë.

Ai u shpreh se ndërkohë që rrugët e vendit mbushen me gjak, Ministrja e Brendshme Alban Koçiu vijon “propagandën me monopatinat”.

Deklarata e plotë:

Siç ju kam informuar prej kohësh, në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, kam kërkuar zhvillimin e një seance dëgjimore me Ministren e Brendshme për të diskutuar mbi gjendjen e sigurisë publike në vend. Ngjarjet e fundit tregojnë qartë se Shqipëria sot është më e pasigurt se kurrë.

Kërcënimi me tritol ndaj një deputeti në banesë, vrasja e një gjyqtari brenda sallës së gjyqit, ngjarja tragjike në Manzë ku dy qytetarë u ekzekutuan me armë, si dhe tre vrasjet dhe shpërthimi me tritol i ndodhur vetëm dje janë dëshmi të pakundërshtueshme se rendi dhe siguria publike në vend kanë rënë në nivele alarmante.

Megjithatë, Ministria e Brendshme vazhdon të refuzojë thirrjen zyrtare të Komisionit për t’u paraqitur dhe për të raportuar mbi këto ngjarje. Kjo sjellje përbën shkelje të detyrimit ligjor që çdo ministër ka ndaj Kuvendit dhe qytetarëve.

Nëse Ministria do të ishte e angazhuar me çështje reale të sigurisë, do ta mirëkuptonim. Por kur ministrja shfaqet në aktivitete propagandistike për konopatinat, ndërkohë që rrugët e vendit mbulohen nga gjaku, kuptohet qartë se kemi të bëjmë me shmangie të plotë të përgjegjësisë.

Krimi i organizuar sot ka shtrirë kontroll në çdo cep të Shqipërisë. Kartele që në Shtetet e Bashkuara shpallen organizata terroriste, në vendin tonë trajtohen si “partnerë ekonomikë” të qeverisë. Kjo qasje e papranueshme ka kriminalizuar jo vetëm jetën publike, por edhe vetë modelin e suksesit në shoqërinë shqiptare.

Sot, nuk janë më intelektualët, pedagogët apo gazetarët që shihen si shembuj suksesi por trafikantët që qeveria i promovon si “sipërmarrës” përmes kullave dhe luksit të pastruar me para të pista. Ndërkohë, biznesmenët e ndershëm, që punojnë me djersën e ballit, përballen me presion dhe ndëshkim nga shteti.

Ministria e Brendshme duhej të ishte paraqitur urgjentisht në Komision për të dhënë llogari, por zgjedh të fshihet. Kjo tregon qartë se qeveria nuk është e shqetësuar për sigurinë tuaj dhe të fëmijëve tuaj por për mbrojtjen e pushtetit të vet.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×