
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në takimin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, deklaroi se sot në Shqipëri nuk mund të flitet për progres dhe zhvillim.
Ai iu referua raportit të fundit të Komisionit të OSBE/ODIHR-it, duke e cilësuar atë si një konstatim të qartë se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin të lira dhe të ndershme.
Sipas tij, për sa kohë ekziston kjo situatë dhe për sa kohë raportet ndërkombëtare flasin për lidhje te krimit te organizuar me poltikën, nuk mund të ketë një qeveri që punon për qytetarët shqiptarë.
“Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Edi Rama dhe Partia Socialiste e bëri moto të fushatës së saj elektorale integrimin evropian të Shqipërisë brenda vitit 2030. Ndërkohë që premtonte pasaportën evropiane për qytetarët shqiptarë, që nënkuptonte vlerat, parimet dhe standardet e Bashkimit Evropian, një realitet krejt i ndryshëm po luhej në fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë. Sic dëshmoi raporti final i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare 2025, partia në pushtet përdori burimet shtetërore, administratën publike, bonuset për pensionistët, subvencionet për fermerët, ndihmën sociale për të varfërit, lejet e ndërtimit, lejet e legalizimit, licencat dhe cdo mekanizëm tjetër që kishte në dispozicion me qëllim rritjen e mbështetjes për Partinë Socialiste dhe kandidatët e saj. Kjo, sipas vëzhguesve ndërkombëtare, praktikisht zhduku vijën ndarëse ndërmjet partisë në pushtet dhe shtetit, duke krijuar një garë tërësisht të pabarabartë ndërmjet palëve. Në raport e OSBE/ODIHR-it flitet po ashtu për presion ndaj nëpunësve publikë, komisionerëve, numëruesve, qytetarëve në qendrat e votimit, përfshirje të grupeve kriminale dhe konsolidim të kontratës së krimit të organizuar me partinë në pushtet”, u shpreh Bardhi.
Fjala e plotë
Të nderuar deputetë të Parlamentit Evropian,
Të nderuar kolegë të Kuvendit të Shqipërisë,
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Edi Rama dhe Partia Socialiste e bëri moto të fushatës së saj elektorale integrimin evropian të Shqipërisë brenda vitit 2030. Ndërkohë që premtonte pasaportën evropiane për qytetarët shqiptarë, që nënkuptonte vlerat, parimet dhe standardet e Bashkimit Evropian, një realitet krejt i ndryshëm po luhej në fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë. Sic dëshmoi raporti final i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare 2025, partia në pushtet përdori burimet shtetërore, administratën publike, bonuset për pensionistët, subvencionet për fermerët, ndihmën sociale për të varfërit, lejet e ndërtimit, lejet e legalizimit, licencat dhe cdo mekanizëm tjetër që kishte në dispozicion me qëllim rritjen e mbështetjes për Partinë Socialiste dhe kandidatët e saj. Kjo, sipas vëzhguesve ndërkombëtare, praktikisht zhduku vijën ndarëse ndërmjet partisë në pushtet dhe shtetit, duke krijuar një garë tërësisht të pabarabartë ndërmjet palëve. Në raport e OSBE/ODIHR-it flitet po ashtu për presion ndaj nëpunësve publikë, komisionerëve, numëruesve, qytetarëve në qendrat e votimit, përfshirje të grupeve kriminale dhe konsolidim të kontratës së krimit të organizuar me partinë në pushtet.
Kolegu juaj, eurodeputeti Michael Gahler, kryetar i Misionit Vëzhgues të Parlamentit Evropian për Zgjedhjet në Shqipëri, do të shprehej më 4 qershor se grupet kriminale në Shqipëri kishin një interes të fshehtë në ruajtjen e pushtetit politik të pandryshuar, me qëllim vazhdimin e aktiviteteve të paligjshme të pastrimit të parave dhe trafikimit të drogës. Ai nënvizoi se ndikimi i përhapur i këtyre rrjeteve kriminale jo vetëm shtrembëroi procesin zgjedhor, por gjithashtu përbën një pengesë themelore për integrimin evropian të Shqipërisë, duke theksuar se Bashkimi Evropian nuk mund të mbyllë sytë ndaj infiltrimit të rrjeteve kriminale dhe ndikimit të tyre shkatërrues në demokracinë e vendit. Nuk është pra, Partia Demokratike apo Opozita shqiptare që flet për shkeljen e rëndë të standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por janë vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it dhe eurodeputetët e Parlamentit Evropian.
E bëra këtë parantezë jo sepse do të trajtoj në këtë fjalë problemet e thella që vendi ynë ka me standardet e zgjedhjeve, edhe pse ky është një diskutim që meriton të bëhet i plotë dhe të marrë kohën e duhur, por e solla në vëmendje sepse Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 1, të saj parashikon se “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në zgjedhje të lira dhe të barabarta.”. Legjitimiteti i qeverisjes pra, Parlamentit dhe Qeverisë, buron nga liria dhe barazia e zgjedhjeve, kur në fakt raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it apo edhe raporti i eurodeputetëve të Parlamentit Evropian tregon që zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të barabarta, cka do të thotë se Parlamenti dhe Qeveria jonë sot nuk kanë legjitimitet demokratik. Dhe nga një qeverisje, e cila nuk është produkt i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pra i vullnetit qytetar, të shprehur lirisht nuk mund të presësh të qeverisë me përgjegjëshmëri, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe të punojë me ndërshmëri për mirëqënien e qytetarëve.
Edhe në këtë pikë, dëshiroj të risjell në vëmendje jo qëndrimet e Partisë Demokratike dhe Opozitës shqiptare, për të cilat dikush në këtë sallë mund të jetë skeptik se ato më shumë se realitetin e qytetarëve shqiptarë, reflektojnë luftën politike të brendshme. Sipas raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, nivelet e perceptuara të korrupsionit në sektorin publik mbeten të larta. Sektorët që identifikohen vecanërisht të rrezikuara janë shëndetësia, arsimi, policia dhe kadastra, ku mungesa e kontrolleve të brendshme dhe dixhitalizimit e bën më të vështirë luftën kundër korrupsionit. Ndërsa, sipas indeksit të korrupsionit Transparency International për vitin 2024, Shqipëria ka marrë 42 pikë nga 100, duke u pozicionuar në vendin e 80-të globalisht, një vend që s’është aspak për t’u krenuar po të mbahen parasysh shtetet që renditen përkrah nesh, ku sigurisht nuk gjen asnjë vend të Bashkimit Evropian.
Akoma më shqetësuese duket situata sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit për vitin 2025, i cili konstaton se zhvillimi ekonomik mbetet i ndjeshëm ndaj korrupsionit të përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes, krimit të organizuar, mungesës së konkurrencës së ndershme, si dhe thekson informalitetin e lartë të ekonomisë, pastrimin e parave dhe ndërhyrje të paligjshme nga administrate në biznes. Sa i përket krimit të organizuar, raporti i DASH po ashtu thekson se grupe kriminale që operojnë në vendet e Amerikës Latine dhe Bashkimit Evropian, përdorin ekonominë shqiptare, vecanërisht sektorin e ndërtimit, për pastrim parash. Shqipëria mbetet vulnerabël ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit dhe institucioneve të dobëta, si dhe për shkak të informalitetit të lartë, cka e bën vendin tërheqës për krimin e organizuar.
Mund të ndalesha në shumë raste të korrupsionit dhe lidhjeve të krimit të organizuar me partinë në pushtet. Por, dua t’u sjell vëtëm dy raste të fundit, të cilat besoj janë ilustrimi më i mirë i problematikës së madhe që ka vendi ynë. Në datën 23 Shtator 2025, gazetari italian Nello Trocchia, duke iu referuar dokumenteve zyrtare të institucioneve ligjzbatuese të vendeve evropiane si Italia, Gjermania dhe Hollanda, përshkruan një takim të fshehtë të zhvilluar në ishullin Aruba, në Karaibe, gjatë periudhës 24 – 31 janar 2019, në të cilin sipas dokumenteve të Antimafias Italiane, kanë marrë pjesë biznesmenë shqiptarë, eksponentë të krimit të organizuar dhe përfaqësues të qeverisë në detyrë, të afërt me kryeministrin Edi Rama. Sipas hetuesve gjatë këtij takimi është diskutuar për ndërtimin e një kulle në Tiranë, mbi një truall që rezulton në pronësi të dy grupeve kriminale dhe për realizimin e këtij projekti ishte e nevojshme mbështetja dhe miratimi nga nivelet më të larta të qeverisë shqiptare, përkatësisht vetë Kryeministri Edi Rama. Në qendër të këtij rrjeti që lidh krimin e organizuar me politikën ishte Artur Shehu, i njohur si kreu i organizatës kriminale që ka ndërtuar një perandori ekonomike përmes trafikut të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave. Avokati i Artur Shehut kishte qenë dikur kur ushtronte profesionin e avokatit në Romë, vetë Sekretari i sotëm i Kryeministrisë Ëngjëll Agaci, ndërsa në vitin 2022, kompania e Artur Shehut kishte marrë një lejë ndërtimi të dyshimtë në bregdetin e Vlorës nga kryeministri Edi Rama.
Ndërsa, rasti i dytë ka të bëjë me zëvëndëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila ishte thirrur të hënën për t’u marrë e pandehur nga SPAK, në kuadër të një afere korruptive, sic është ndërtimi i tunelit të Llogarasë në Vlorë. E thënë me fjalë të thjeshta sepse edhe koha është e shkurtër, ajo që ka ndodhur në këtë rast është një procedurë prokurimi publik, e shpallur në dhjetor 2020, për ndërtimin e një tuneli në jug të vendit, për të cilin kompanitë shqiptare ishin ofruar ta ndërtonin përkundrejt vlerës 140 milionë Euro. Kjo procedurë prokurimi u anullua dhe tenderi u rihap sërish për t’u fituar kësaj rradhe nga një kompani turke përkundrejt vlerës 190 milionë euro ose 50 milionë euro më shumë se oferta e kompanive shqiptare. Në fakt, kjo kompani turke nuk do të sillte as punonjës, as pajisje, as materiale në Shqipëri, por të nënkontraktonte sërish kompaninë shqiptare që kishte marrë përsipër ndërtimin e tunelit për 140 milionë euro, duke zhdukur kështu 50 milionë euro në drejtim të paditur. E çuditshmja në thonjëza në këtë rast është se në datën 03.06.2021 ose 21 ditë para rishpalljes, zv.kryeministrja Belinda Balluku kishte qenë në një takim në Stamboll, Turqi, pikërisht me kompaninë turke përfituese të tenderit, madje takim të cilin e kishte postuar edhe në rrjetet e saj sociale si takim me kompanitë e ekselencës në fushën e infrastrukturës për të implementuar pjesë të rëndësishme të programit zhvillimor. Praktikisht, tenderi kishte qenë i paracaktuar, ndërsa mbetet enigmë se ku përfunduan 50 milionë euro kosto të fryra fiktivisht nga kompania turke. Secili prej jush në këtë sallë besoj ka një përgjigje në mendjen e tij se ku kanë përfunduar ato para.
Ju solla këto dy shembuj, të cilat sërish nuk janë retorikë apo narrativë e Partisë Demokratike apo Opozitës shqiptare, por e Antimafias Italiane dhe Strukturës shqiptare Antikorrupsion, të cilat besoj unë gëzojnë besimin e eurodeputetëve të Parlamentit Evropian. Sigurisht mund të sillja edhe plot raste të tjera, sepse korrupsioni i lartë qeveritar, krimi i organizuar, kontrata e politikës me krimin, pastrimi i parave të karteleve të drogës në ekonominë shqiptare, vecanërisht në sektorin e ndërtimit, ka një meritë të vecantë në vendin tonë që nuk fshihen, por janë në dritën e diellit për t’u konstatuar lehtësisht nga kushdo që ka sytë dhe mendjen e hapur për t’i parë dhe kuptuar. Dhe për t’u rikthyer aty ku e nisa. Integrimi evropian i Shqipërisë brenda vitit 2030 dhe pasaporta evropiane e shqiptarëve nuk mund të realizohen për sa kohë në krye të tyre qëndron një kryeministër, bashkëpunëtorët më të ngushtë të të cilit, përfshirë zv.kryeministra, ministra, deputetë dhe kryebashkiakë janë sot të dënuar, të arrestuar, në kërkim ndërkombëtar apo të pandehur për korrupsion të lartë, abuzim me detyrën, shkelje të barazisë në tendera, pastrim të parave dhe fshehje të pasurive. Integrimi evropian i Shqipërisë brenda vitit 2030 dhe pasaporta evropiane e shqiptarëve nuk mund të realizohen për sa kohë në krye të tyre qëndron një kryeministër, i cili ka lidhur kontratë me krimin e organizuar, ata e ndihmojnë të fitojnë zgjedhjet, sic thotë raporti i OSBE/ODIHR-it dhe eurodeputeti Michael Gahler, dhe ky i ndihmon të vijojnë trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit, duke iu firmosur lejet e ndërtimit.
Integrimi evropian i Shqipërisë dhe pasaporta evropiane e shqiptarëve do të realizohen vërtet kur në të gjithë që jemi në këtë sallë ta themi të vërtetën në sy, t’i drejtojmë gishtin personit përgjegjës dhe ta luftojmë korrupsionin e lartë qeveritar dhe krimin e organizuar me seriozitet, përkushtim dhe sinqeritet. Në të kundërt, ne do të vazhdojmë të mblidhemi në këto salla, dikush të mburret për arritjet, e dikush të ankohet për dështimet, por problemet do të ngelen sërish aty të pazgjidhura, dhe qytetarët tanë do të vazhdojnë të vuajnë në përditshmërinë e tyre.
and then