
Dy X-se në 2 dy sfidat e fundit, 4 pikë të lëna në pak ditë kanë bërë që Milan jo vetëm të lëshojë kreun, por të zbres ndjeshëm në tabelë. Ekipi i Allegrit ngec sërish, këtë herë në transfertë përballë Atalanta-s, mbase janë edhe me fat që dolën me një pikë, në një kohë kur bergamaskët ishin dukshëm superior, me “djallin” që iu falë portierit Mike Maignan.
Në fakt, Milan krijoi iluzionin se do ta zgjidhnin lehtë këtë takim, në një kohë kur Samuele Ricci me një goditje të bukur nga distanca kaloi kuqezinjtë në avantazh që në minutën e 4-ët. Goli shkundi Atalantën, me ekipin e Juric që mori kontrollin e lojës duke vendosur në vështirë portierin Maignan. Më në fund, pas disa përpjekjeve, në minutën e 35-të, i munguari i madh i Atalantës, Ademola Lookman tundi rrjetën me një predhë të vërtetë brenda në zonë, ky ishte goli i tij i parë këtë sezon.
Në fraksionin e dytë, dy ekipet zhvilluan një futboll të hapur, në përpjekje të golit të fitores, me Milan që tentoi në disa momente me goditje standarde. Atalanta flirtoi me golin e fitores ku në minutën e 85-të, Zappacosta me gjeti kuadratin me një goditje shumë të bukur, por Maignan bëri mrekullinë duke mbajtur në lojë pikën e Milan pasi rezultati 1-1 mbeti i pandryshuar deri në fund.
Si rrallë herë, Berat Gjimshiti, kapiteni kuqezi e nisi këtë takim nga stoli, i aktivizuar pas minutës së 72-të.
Për Atalantën kjo ishte ndeshja e 5-të radhazi që nuk fitojnë mes Champions dhe Serie A, ndërsa për Milan barazimi i dytë radhazi, por për Allegrin ky është një detaj pozitiv: “Mëkat për golin e pësuar, por e rëndësishme është që vijojmë serinë e rezultateve pozitive. Tani të mendojmë për ndeshjen e së dielës, na pret një sfidë e bukur me Romën”, u shpreh Allegri.
()
and then