
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar në platformën X pas lajmit se Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Në reagimin e saj, Spiropali e ka cilësuar vendimin e Sirisë si një zhvillim të rëndësishëm diplomatik që forcon pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe përpjekjet e saj për ndërtimin e një shteti demokratik e të zhvilluar.
“Urime Kosovës për lajmin e mirë të njohjes së shtetit nga ana e Republikës Arabe të Sirisë.
Kosova po përparon në rrugën e forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, falë përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të saj, si edhe mbështetjes së miqve e partnerëve që kanë ndihmuar procesin e saj të njohjes dhe shtetndërtimit,” shkroi Spiropali.
Ministrja shprehu gjithashtu mirënjohje për Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, për rolin dhe mbështetjen e dhënë në arritjen e kësaj njohjeje.
“Falënderime me këtë rast edhe për Lartësinë e tij Mbretërore, Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, për mbështetjen e dhënë në kurorëzimin e kësaj njohjeje,” – theksoi ajo.
Në përfundim, Spiropali shprehu bindjen se ky zhvillim do të pasohet nga njohje të tjera të reja për Kosovën.
“Jam e bindur se njohje pas njohjeje, Republika e Kosovës do të sigurojë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të kombeve. Edhe njëherë, urime Kosovë!”
and then