
Bayern Munich është kthyer në një makineri perfekte, një skuadër që nuk njeh rivalë, duke bërë që për ekipin e Kompany të flas e gjithë Evropa. Skuadra bavareze ka fituar të gjithë ndeshjet deri me tani, 13 nw 13, me 47 gola të shënuar dhe vetëm 9 të pësuar. Sigurisht, një skuadër plot yje, por suksesi nuk lidhet vetëm me emrat. Kompany ka krijuar një ekip që funksionon si orë zvicerane, duke rikthyer tek Bayern-i dominimin e viteve të arta.
Rezultatet e Bayernit kujtojnë një rekord historik: atë të Milanit të Fabio Capello-s në sezonin 1992/93, që nisi me po aq fitore radhazi. Sot, Bayern po bën diçka të ngjashme, ka shkatërruar rivalët edhe me rezultate të thella si Leipzig-un 6-0, Hamburgun 5-0 dhe Werder Bremen-in 4-0.
Kompany ka ruajtur sistemin klasik me katër mbrojtës dhe një qendërsulmues të vetëm Harry Kane, i cili po kalon një formë të jashtëzakonshme. Në mbrojtje ka luksin të zgjedhë mes emrave si Upamecano, Kim, Davies apo Tah, ndërsa në mesfushë komandën e mbajnë Kimmich dhe Goretzka. Në fazën ofensive, Olise, Luis Díaz, Gnabry dhe i riu Lennart Karl, vetëm 17 vjeç, po tregojnë se Bayern-i ka edhe të ardhme, jo vetëm të tashme.
Në lojë, Kompany ka sjellë një fleksibilitet modern, një futboll dinamik, pa pika referimi. Ekspertët e quajnë tashmë një nga skuadrat më interesante taktikisht në Evropë, krahas PSG-së dhe Bournemouth-it të Iraolës. Me shifrat në tryezë, në Mynih, tifozët kanë nisur të ëndërrojnë për një sezon të mbushur me trofe.
()
and then