
“Vetting” trajton në emisionin e radhës krizën e të drejtës së autorit në Shqipëri dhe rolin e Albautor, institucion që prej vitesh akuzohet për mungesë transparence, shpërndarje selektive dhe abuzim me fondet e krijuesve.
Skandali me këngën simbol “Mora fjalë” të Naim Gjoshit, e dëgjuar gjerësisht në çdo festë, ndeshje të Kombëtares, dasmë apo transmetim publik, por me të ardhura minimale për autorin, zbardh në thelb një sistem që e ka kthyer të drejtën e autorit në farsë burokratike dhe në burim fitimi për të tjerë.
Artistë të njohur si Gjergj Leka, Osman Mula, Aleksandër Peçi, Zef Çoba, Redon Makashi e Markelian Kapedani denoncojnë publikisht se puna e tyre, trashëgimia muzikore e kombit, po keqpërdoret e shpërblehet në mënyrë poshtëruese. Të ardhurat që marrin për një vit, pavarësisht transmetimeve të shumta në radio, televizion, platforma digjitale dhe evente, janë rreth 100 euro në vit, shume qesharake për autorë të mëdhenj që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare.
Avokatë dhe ekspertë të fushës theksojnë se kjo situatë përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të”, i cili detyron organizatat kolektive të publikojnë metodologjinë e shpërndarjes, raportet e të ardhurave dhe auditimet financiare të pavarura. Në treg operojnë Albautor, AKDIE, FMAA dhe FABER, ndërsa SUADA, e ngarkuar me mbledhjen e tarifave unike, raportohet pa kapacitete rajonale dhe pa transparencë të plote mbi mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave.
Auditimet e Ministrisë së Kulturës për vitet 2022-2023 kanë evidentuar shkelje të përsëritura: shpenzime administrative që tejkalojnë kufirin ligjor prej 30% të shpërblimeve, bilance të dorëzuara pa auditim të jashtëm në kohë, vonesa të pajustifikuara në pagesa dhe mungesë të depozitimit të fondeve të pashpërndara në fondin special të përcaktuar me ligj. KLSH, në raportet e tij, ka konfirmuar mangësi serioze në monitorimin e tregut dhe në ndarjen reale të të ardhurave ndërmjet autorëve.
Rastet e këngëve “Mora fjalë” dhe “Xhamadani vija-vija”, të përdorura publikisht pa autorizim apo pa shpërblim të drejtë për autorët, janë vetëm maja e ajsbergut të një abuzimi sistematik që ka zhbërë kuptimin e së drejtës së autorit në Shqipëri. Marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruara nga Albautor me objekte përtej licencës së miratuar kërkojnë sot rishikim të menjëhershëm ligjor.
Ministria e Kulturës kërkon tashmë përditësimin e statuteve, qartësimin e mandateve dhe rritjen e transparencës në çdo hallkë të sistemit. Ndërkohë, artistët kërkojnë jo vetëm rishpërndarje të drejtë, por një rikthim të dinjitetit krijues, një kontroll të plotë të tregut muzikor, raportim publik të çdo tarife të mbledhur dhe shpërblime që pasqyrojnë realisht përdorimin e veprës.
Në thelb të skandalit që “Vetting” e sjell të enjtën ora 20:00 me dokumente, letra zyrtare dhe dëshmi të drejtpërdrejta të autorëve, qëndron një mesazh i thjeshtë, por themelor: pa transparencë nuk ka dinjitet, dhe pa dinjitet nuk ka vijimësi krijuese.
and then