Snajper, municion luftarak dhe…/ Zbulohet baza e armëve në Tiranë. Detaje

Policia ka zbuluar bazën e armëve në Tiranë, ku në kuadër të operacionit ka sekuestruar 5 snajpera, 1 silensiator dhe 17 krehra me municion luftarak.

Sipas burimeve, është arrestuar 34-vjeçari Eugert Sino dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Finalizohet nga Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “The van”.

Zbulohet një bazë ku ishte fshehur një arsenal armësh të dyshuara të trafikuara.

Sekuestrohen 23 armë zjarri (5 prej tyre me snajper), 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, paisje për bllokimin e valëve, uniforma si të Policisë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Vihet në pranga 34-vjeçari që dyshohet se i posedonte.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari  kriminale.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që posedonte arsenal armësh, Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ditën e sotme, ka zhvilluar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “The van”. Në kuadër të këtij operacioni:

-u arrestua shtetasi E. S., 34 vjeç, banues në Tiranë si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas, gjeneralitet e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimit.

Gjatë operacionit, në rrugën “Myslym Shyri”, gjatë kontrollit në furgonin e shtetasit E. S. u gjetën:

-12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;

-6 armë zjarri automatike;

-5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);

-1 silenciator;

-17 krehra për armë zjarri të ndryshme;

-pjesë të ndryshme armësh zjarri;

-15 000 fishekë;

-17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;

-12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;

-pajisje elektronike gjurmuese (GPS);

-pajisje për bllokimin e valëve;

-pajisje për numërimin e kartëmonedhave;

-3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes së arsenalit të armëve dhe të pajisjeve të sekuestruara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

 


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×