
Prezenca e OSBE-së në Tiranë organizoi Forumin e 11-të të Zhvillimit të Medias. Kreu i Prezencës, Ambasadori Michel Tarran, vlerësoi se mjedisi mediatik luan një rol themelor në çdo shoqëri demokratike. Duke iu referuar Raportit të Sundimit të Ligjit të Komisionit Evropian për vitin 2024 mbi Shqipërinë, dhe siç është pasqyruar në vlerësimet e OSBE-së, Ambasadori Tarran tha se sfidat kryesore vazhdojnë të ekzistojnë në sektorin e medias.
Ambasadori Tarran theksoi: “Angazhimet e OSBE-së janë të qarta: Shtetet pjesëmarrëse duhet të promovojnë pluralizmin e medias, të sigurojnë transparencë në pronësinë e mediave dhe të parandalojnë përqendrimin e tepruar që mund të heshtë zërat e pavarur. Këto nuk janë vetëm standarde teknike, ato janë thelbësore për demokracinë. Duke ecur përpara, objektivi ynë i përbashkët duhet të jetë një mjedis mediatik në Shqipëri që është i larmishëm, transparent, i pavarur dhe i qëndrueshëm ndaj presioneve politike ose ekonomike. Mbi të gjitha, një mjedis që mbështet debatin publik të informuar dhe promovon vlerat demokratike.”
Profesori i Fakultetit të Gazetarisë dhe analisti Mark Marku foli për sfidat me të cilat përballet sot media shqiptare, duke nënvizuar nevojën për reformë dhe mbështetje të lirisë së medias.
Në forumin për zhvillimin e medias, një vend të rëndësishëm në diskutimet e pjesëmarrësve zuri edhe sulmi shtetëror ndaj “News24”. Drejtoresha e “Focus Media News”, Dhurata Çupi, u shpreh se dhuna shtetërore ndaj “News24” ishte një mënyrë për t’i mbyllur gojën një media kritike, duke shkelur çdo ligj dhe standard evropian. Kjo kulmoi me fikjen e sinjalit të televizionit, dëbimin e gazetarëve nga redaksitë dhe konfiskimin e materialeve të tyre.
“Për disa ditë, qyettarët shqiptarët u privuan nga e drejta për të marrë informacion dhe ky është thelbi i një akti censure. Paralel me ndërprerjen arbitrare të sinjalit përmes urdhrit për lënien e godinave të News24, gazetarët u penguan në kryerjen e detyrës dhe u penguan të aksesojnë mjetet e punës. U krijua një situatë ku cenoi seriozisht të drejtën për informim dhe integritetin e profesionit të tyre. Këto aktë janë sulme ndaj lirisë së medias, bien ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut si dhe me parimine aktiti europian për lirinë e medias i cili përcakton qartë se autoritetet publike nuk mund të përdorin masa administrative për të ndikuar politikën editoriale të medias”, u shpreh Çupi.
Përveç dhunës shtetërore, Çupi ngriti edhe shtetësimin e presionit ekonomik ndaj medias, ku gjobat përdoren për të shantazhuar dhe censuruar fjalën e lirë.
“Presioni ndaj mediasve nuk ndalet vetëm tek frekuencat, sinjali apo ndërtesa. Ai shpesh ndodh në mënyrë të sofistikuar përmes presioneve ekonomike. Në rastin e Hysenbelliu Group, pjesë e të cilit është edhe News24, kemi parë një sërë kontrollesh, gjobash dhe hetimesh administrative që kanë karakter më shumë politik se sa ligjor. Kur shteti përdor instrumentet e veta për të ndëshkuar bizneset që mbështesin median e pavarur qoftë duke i hedhur në erë me tritol, kemi të bëjmë me përpjekje për të kontrolluar fjalën dhe mendimin e lirë”, theksoi më tej Dhurata Çupi
Në këto kushte, Çupi propozon një sërë masash, që duhen ndërmarrë, për të mbrojtur lirinë e medias, përballë presioneve të përditshme të pushtetit.
“Krijimi i një regjistri publik të pronësisë së mediave që të tregojë qartë se kush i zotëron, kush i financon dhe kush ndikon mbi to. Rregullimi transparent i shpërndarjes së reklamave shtetërore që shpesh përdoren si mjet presoni ndaj mediave kritike. Fuqizimi i institucioneve rregullatore të pavarura përfshirë AMA-n që duhet të jetë garant i pavarësisë. Mbrojtja ligjore dhe profesionale e gazetarëve përmes zbatimit real të ligjit për dekriminalizimin e shpifjes dhe mekanizmave kundër kërcënimeve institucionale”, tha Çupi.
Forumi për zhvillimin e medias, është një platformë diskutimi mbi problemet që kërcënojnë lirinë e shtypit dhe mënyrat e mbrojtjes së medias përballë presioneve të ndryshme.
and then