“Diella do pjellë 83 dobiçë që do zëvendësojnë deputetët”, Korreshi u drejtohet socialistëve nga foltorja: Kjo është drejtësia juaj, kush ka lekun…

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka mbajtur një fjalim me tone ironike në seancën e sotme parlamentare, duke thumbuar deputetët socialistë përballë tij. Ai i pyeti ata në mënyrë retorike se si ndiheshin “tani që Diella ka pjellë 83 dobiçë”, duke iu referuar figurativisht vendimeve që, sipas tij, do të zëvendësojnë ligjvënësit e mazhorancës.

Gjatë fjalës së tij për reformën në drejtësi, Korreshi u ndal te dështimet e saj pas dhjetë vitesh zbatim, duke kujtuar se shumë nga ish-klientët e tij si avokat ende nuk kanë marrë drejtësi për çështjet e tyre. Ai solli shembullin e një prej tyre, të cilën e quajti “Nënë Zylfia”, për të ilustruar vonesat dhe padrejtësitë që, sipas tij, janë bërë normë në sistemin gjyqësor.

Deputeti opozitar vuri në kontrast këtë situatë me trajtimin që, sipas tij, marrin zyrtarët dhe ish-zyrtarët e pushtetit, të cilët “për gjyqet e tyre fitojnë miliona dhe kalojnë shkallët dy e nga dy”, duke anashkaluar radhën dhe duke përfituar nga standardet e dyfishta të drejtësisë.

Korreshi nuk kurseu ironinë as ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke thënë se “arritja më e madhe e reformës në drejtësi është se proceset gjyqësore që zgjatnin 16 vite, tani janë shkurtuar… me vetëm 16 ditë.”

“Kemi këtu nënë Zylfien, s’kemi nevojë për atë raportin e Justice. Ça ka bërë nënë Zylfia? Ka bërë vetëgjyqësi, se ka vënë gardh, ka ndarë portën, ka një gjyq penal, që nga 2019 dhe është thirrur më 2025! E kuptoni, është çështje penale! Por bie fjala gjithë kjo reformë a ka një përmirësim të dukshëm? Dhe më thanë se ka përmirësim me 16 ditë! E kuptoni ju se si kemi vajtur. Kemi kaq vite reformë në drejtësi dhe e keni ulur me 16 ditë për në 16 vite që ishte. Njerëzit kanë masa sigurimi dhe kanë harruar ku kanë dosjen. Kur shikon këto raporte nga KLP apo Justice të duket sikur askush nuk shkon në terren të shohë se çfarë ndodh, ku njerëzit presin në radhë për drejtësi. Ja kam këtu çështje që nga viti 2008 dhe jemi në 2025 tani, e kuptoni ku ndodhemi apo jo, unë e kam mandatin e dytë këtu dhe kjo çështje nuk është zgjidhur. Që kur isha avokat”, tha Korreshi.

Deputeti demokrat ironizoi edhe ish-ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, duke thënë se “bëri reformën territoriale gjyqësore që të zvogëlonte hartën se ishte e madhe”.

“Kjo është drejtësia, reforma territoriale, se tha Ulsiu hajt ta ngushtojmë pak hartën se është e madhe, ta bëjmë më të vogël. Por korrupsioni është shtuar, se e sollët në Tiranë por e rritët, se sa më lartë të jetë, se është Tiranë, aq më shumë e do kapulën me lekë. Dhe presin kur të jepet drejtësia e zbardhet vendimi, pas tre vjetësh, ja kjo është drejtësia juaj. Ca e ca i zgjidhin çështjet me miliona euro, nga katër shkallë për tre vite, nga i fundi te i pari, kurse nënë Zylfia atje ka shtatë vjet. Kurse ajo tjetra për tre vjet tak 3 mln dollarë në xhep për tre vjet”, tha deputeti demokrat.

Nuk mungoi edhe kritika për Policinë e Shtetit, që kap si provë materiale në Korçë një lepur apo për Diellën që pjell 83 deputetë të rinj që do zëvendësojnë ata në sallë.

“Pastaj na dalin lajme Policia me “u kap lepuri”, e lexova në lajme, ishte lepuri si provë. Ose na del KLP-ja procedime kundër 3 prokurorëve, ça drejtësie është kjo? Ore, në fund kam një pyetje për ju, kolegë këtu në sallë. Si do ndiheni tani ju deputetë këtu që Diella do pjellë 83 dobiçë, se do ju zëvendësojë ju, si do ndiheni ju këtu në sallë, jo për gjë?”, përfundoi ligjvënësi.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×