“Kushtetuta është kthyer në letër të vdekur”, Berisha: Vonesat në gjykime sjellin vetgjyqësi, shkaktuan vrasjen e gjykatësit në sallë!

Në seancën plenare të Kuvendit, gjatë diskutimit për raportin vjetor të Avokatit të Popullit, kryetari i PD-së, Sali Berisha, mbajti një fjalim të ashpër ndaj qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke e cilësuar gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri si “dramatike” dhe “të pashembullt në botë”.

Berisha tha se Kushtetuta shqiptare është kthyer në një “letër të vdekur”, ndërsa të drejtat themelore të qytetarëve janë zhdukur në praktikë.

“Të dashur qytetarë, sot debatojmë për raportin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit në një vend ku Kushtetuta është një letër e vdekur dhe të drejtat më themelore të njeriut, disa ndër më kryesoret, faktikisht janë të humbura. Janë inekzistente,” deklaroi Berisha.

Duke iu referuar sistemit të drejtësisë, Berisha e përshkroi atë si të paralizuar dhe të kapur politikisht, duke thënë se vonesat në gjykime kanë arritur në nivele absurde.

“Në asnjë vend tjetër të planetit nuk ndodh që qytetarët të presin 16 vite për një proces gjyqësor. Kjo është për të qarë. Kjo ka sjellë vetëgjyqësi, 180 vrasje dhe 220 plagosje si pasojë e mungesës së drejtësisë,” theksoi ai.

Berisha u ndal edhe tek një deklaratë e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili kishte pohuar se brenda një viti afati mesatar i proceseve gjyqësore ishte shkurtuar me vetëm 16 ditë.

“Në asnjë diktaturë sot nuk ekziston situatë si kjo. Qytetarët shqiptarë janë më të shpërfillurit në botë. Kjo mungesë drejtësie krijon shpërthime si ajo që pamë në sallën e gjyqit, kur gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua publikisht,” u shpreh Berisha.

Ai shtoi se mohimi i një procesi të drejtë gjyqësor është diçka që shqiptarët, sipas tij, nuk e kanë përjetuar as në periudhat më të errëta të historisë.

“Edhe në kohën e perandorisë osmane, edhe gjatë principatave, madje edhe në diktaturë, qytetarët e kishin një minimum drejtësie. Sot, vetëm qeveritarët e gëzojnë ligjin,” vijoi ai.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×