
Albautor nuk monitoron dot tregun
Agjencitë që merren me mbledhjen dhe shpërndarjen e të drejtave të autorit nuk po e zbatojnë si duhet ligjin. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konfirmuar disa nga shkeljet me të ardhurat e Albautor. Sipas auditit, organizata shpenzon më shumë se 30% të të ardhurave për administrim, edhe pse ky është kufiri i lejuar. Shpërndarjet e parave për autorët janë të ulëta dhe bëhen me vonesë. Një pjesë e parave që mblidhen nga përdoruesit nuk u shpërndahen autorëve dhe nuk depozitohen në fondin special të Ministrisë së Kulturës, ku duhet të qëndrojnë për tre vjet në pritje të përfituesve.
Sporteli Unik për të Drejtat e Autorit (SUADA) nuk ka arritur të hapë rrjetin e zyrave rajonale që kishte planifikuar sepse ka mungesë fondesh. Buxheti aktual nuk mjafton për të përmbushur objektivat e planit. SUADA nuk ka burime të tjera financimi përveç tarifave që mblidhen nga përdorimi i veprave dhe nuk ka marrë mbështetje nga donatorë ndërkombëtarë si BE, UNESCO apo organizata të tjera që ndihmojnë në fushën e të drejtave të autorit. Një tjetër arsye është kostoja e lartë për hapjen dhe mirëmbajtjen e zyrave të reja.
Ligjet shqiptare për të drejtën e autorit nuk janë ende plotësisht në përputhje me rregullat e Bashkimit Europian. Ministria e Kulturës nuk ka ndërmarrë hapa për t’u bashkuar me dy traktate ndërkombëtare të rëndësishme, Traktatin e Marakeshit, që mbron të drejtat e personave me probleme të shikimit, dhe Traktatin e Pekinit, që lidhet me veprat audiovizuale. Të dy këto ishin planifikuar për t’u nënshkruar vite më parë, por nuk janë realizuar. Deri tani janë përafruar vetëm pjesërisht dy direktiva të BE-së, që kanë të bëjnë me rregullat për transmetimet satelitore dhe kabllore, si edhe me mënyrën se si menaxhohen të drejtat e autorëve dhe licencat muzikore në internet.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, kriteret e vendosura në pikën 1 të nenit 135 të ligjit krijojnë kushte për monopolizim të tregut, duke u bërë pengesë për hyrjen në treg të agjencive të reja. Një shoqatë përfaqësuese autorësh e cila plotëson më mirë kushtet e nenit 133 të ligjit për të qenë e licencuar si agjenci administrimi kolektiv, mund të mos plotësojë kushtet e nenit 135 të ligjit, meqë nuk kanë arritur akoma një bashkëpunim me agjencitë simotra.
Është konstatuar se, që nga viti 2017, nuk ka një marrëveshje gjithëpërfshirëse të përditësuar, midis shoqatave të përdoruesve dhe agjencive të administrimit kolektiv të të drejtave të autorit. Procesi i negocimit për arritjen e saj ka dështuar, dhe nuk ka asnjë kërkesë nga aktorët e legjitimuar, pranë Këshillit Kombëtar për të Drejtën Autorit, për rishikimin e metodologjisë dhe masës së shpërblimit të tarifave për mbajtësit e të drejtave. Ligji aktual nuk ofron asnjë mekanizëm për zgjidhjen e këtij ngërçi.
Ministria e Kulturës nuk ka marrë asnjë masë ndaj agjencive që merren me mbledhjen e të drejtave të autorit, edhe pse ato janë kapur me shkelje të përsëritura.
Sipas avokatit Evien Dako, ligji i së drejtës së autorit i detyron agjencitë të publikojnë të gjitha informacionet, bilancet, metodologjinë e shpëndarjes, sa janë shpërndarë dhe kujt i janë shpërndarë.
“Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Albautor për listën e autorëve që kanë marrë të ardhura për shkak të veprave që kanë krijuar dhe janë transmetuar në publik.
Por Drejtori i Përgjithshëm Erion Muka do të refuzonte të jepte informacionin publik.
“Në lidhje me kërkesën tuaj, dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se Albautor është një shoqatë e krijuar dhe që vepron sipas ligjit për të drejtat e autorit dhe ligjit për organizatat jofitimprurëse. Transparenca e veprimtarisë së Albautor është shumë e rëndësishme jo vetëm për agjencinë, por edhe për anëtarët e saj dhe për organizatat e huaja simotra me të cilat Albautor ka lidhur marrëveshje përfaqësimi për Shqipërinë. Sikundër transparencën, Albautor ka dhe detyrimin e ruajtjes së konfidencialitetit të të dhënave personale të secilit autor, një praktikë kjo e njohur ndërkombëtarisht dhe në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale”, shkruan për “Vetting” Drejtori i Albautor Erion Muka.
Por duke refuzuar të jepte informacione, njëkohësisht Drejtori Muka do të bënte presion indirekt ndaj televizionit për gjoba për të drejtën e autorit, edhe pse televizioni “News24” është televizion informativ.
“Dëshirojmë gjithashtu t’ju vëmë në dijeni se subjektet radio dhe televizion, duke filluar nga kjo periudhë, do të paguajnë një shpërblim të drejtë për përdorimin e veprave me autorë, në vijim të miratimit të tarifave të reja nga Këshilli Kombëtar i të Drejtës së Autorit. Në këtë kuadër, gjejmë këtë rastin të shprehim bindjen tonë se televizioni juaj, i cili deri më sot ka qenë vazhdimisht në shkelje të ligjit 35/2016 dhe nuk ka paguar asnjëherë të drejtat e autorit, do t’i zbatojë me përpikmëri detyrimet ligjore që keni si OSHMA dhe për këtë, ju falenderojmë paraprakisht”, do të shkruante në përgjigjen e tij për redaksinë “Vetting” Drejtori i Përgjithshëm Erion Muka.

				
             

 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
                     and then
 and then