
Gjykata e Shkallës së Parë të Jurisdiksionit të Përgjithshëm Berat ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Kristo Memën (i njohur edhe si Kontandin Oxhaj), 63 vjeç, autor i vrasjes me thikë të 42-vjeçarit Keli Hoxha. Autori, gjatë seancës gjyqësore, ka shprehur pendesë dhe ka deklaruar se ngjarja ndodhi “në gjaknxehtësi e sipër”, pasi viktima e kishte ofenduar dhe sharë nga familja. Në sallë, ai u ka kërkuar falje edhe familjarëve të viktimës.
Seanca gjyqësore
Kristo Mema u paraqit mesditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Beratit, nën masa të rrepta sigurie, rreth një orë përpara fillimit të seancës, për t’u njohur me masën e sigurisë. Prokurori i çështjes, Renato Tosku, pasi paraqiti rrethanat e ngjarjes, kërkoi për të masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “Vrasje”, parashikuar nga neni përkatës i Kodit Penal. Pas dëgjimit të avokatit mbrojtës dhe vetë autorit, gjyqtari Renis Bega e cilësoi arrestimin “të ligjshëm” dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Memës.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 28 tetorit, në Kalanë e qytetit të Beratit. Debati mes autorit dhe viktimës nisi pasi ky i fundit kishte prekur kalin, të cilin Mema e përdorte për të shëtitur turistët rreth kalasë, kundrejt pagesës. Sipas dëshmive, autori i kërkoi viktimës të mos e prekte më kalin, pasi – sipas tij – kafsha nuk ishte mirë dhe ishte e acaruar. Pas kësaj, mes tyre nisi një debat verbal që përfundoi tragjikisht. Mema nxori thikën që mbante fshehur në samarin e kalit dhe e goditi Hoxhën.
Pas ngjarjes, autori u largua drejt banesës, lidhi kalin në kasolle, mori disa ushqime dhe u fsheh në një nga shpellat e kalasë për t’i shpëtuar policisë. Viktima Keli Hoxha, 42 vjeç, banues në Tiranë dhe me origjinë nga Tropoja, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë sapo mbërriti në Spitalin Rajonal të Beratit. Autori u kap disa orë më vonë, i fshehur në të ashtuquajturën “Shpella e Memecit”, pranë Kishës së Shën Mëhillit.
E shkuara e autorit
Hetimet kanë zbuluar se Kristo Mema (alias Kontandin Oxhaj) ka kryer një vrasje edhe në vitin 1993, po në Berat. Pas asaj ngjarjeje, ai ishte larguar në Greqi për rreth 25 vjet, ku kishte ndërruar emrin. Për atë vrasje nuk ka vuajtur asnjë dënim, pasi vepra ishte parashkruar.
and then