
Seanca në Gjykatën Kushtetuese për ankimin e Erion Veliajt kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin nga posti i kryebashkiakut të Tiranës është shoqëruar me pyetje mes palëve, ndërsa seanca ka marrë një pushim prej 30 minutash.
Gjatë diskutimit, përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave ngriti pyetjen nëse “mbrohet interesi publik në rastet kur një i zgjedhur nuk kryen për një periudhë të gjatë detyrën që i është besuar nga qytetarët”.
Në reagimin e tij, Veliaj iu kundërpërgjigj me tone të ashpra dhe ironike, duke e cilësuar pyetjen si të njëanshme dhe selektive.
“Kjo pyetje do të ishte e ndershme nëse do t’ua bënit qytetarëve të Tropojës, për të cilët duket se është në rregull të rrinë një muaj pa kryebashkiak. Por kur kjo targeton vetëm një person, nuk më duket normale,” u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se qeveria po përdor standarde të dyfishta, duke mos reaguar në raste të ngjashme, ndërsa në rastin e tij, sipas tij, është ndërhyrë politikisht.
“Po bëni diferencim. Për sa kohë kanë qenë të vlefshme delegimet në Tropojë, nuk ka pse t’ju shqetësojë delegimi im në një pamundësi të organizuar nga vetë shteti. Po futemi në një labirint, ku një pjesë e shtetit ka kapur një tjetër për ta bërë grumbull drejtësinë,” tha ai.
Veliaj theksoi se në vend që të vihej në pikëpyetje legjitimiteti i tij si i zgjedhur, duhej të ngriheshin shqetësime për masën e paraburgimit, të cilën e cilësoi të padrejtë dhe joproporcionale.
“Do ishte në dobi të vendit dhe integritetit të zyrës që përfaqësoni që të shqetësoheni për masat e paraburgimit, për disproporcionalitetin. Me dy gabime nuk prodhoni drejtësi. Me dy standarde nuk prodhoni drejtësi,” përfundoi ai.
				
             

 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
                     and then
 and then