
Në vijim të seancës në Gjykatën Kushtetuese, ish-kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj vijoi mbrojtjen e tij me tone ironike, por edhe emocionale, duke e cilësuar procesin e shkarkimit si një akt të padrejtë, të kryer pa respektuar procedurat ligjore dhe pa i dhënë mundësinë të paraqiste qëndrimin e tij përpara Këshillit Bashkiak të Tiranës.
“Zonja gjykatëse, ju falënderoj për pyetjen. Në 10 vite si kryebashkiak, ka dy mënyra si flitet në këshill: ose kur thërret kryetari, ose kur ka vendime të rëndësishme. Ka edhe një rast të tretë, kur e thërret vetë këshilli por edhe atëherë duhet të thërrasë kryetarin. Unë nuk mora asnjë ftesë nga këshilli, por një njoftim nga sekretari, që nuk është anëtar i zgjedhur i tij,” tha Veliaj.
Sipas tij, njoftimi për mbledhjen e këshillit nuk iu bë në mënyrë ligjore, duke e përjashtuar në mënyrë të qëllimshme nga procesi që çoi në shkarkimin e tij.
“Kur gjykohet një kryetar bashkie, duhet të ketë një vendim formal të këshillit për ta ftuar atë. Sekretari nuk ka këtë kompetencë. Në fakt, unë e kam parë mbledhjen e këshillit nga televizori i burgut. Dhe po ju them sinqerisht pashë një efikasitet mbresëlënës: tetë vendime administrative brenda tetë orëve pune. Një shpejtësi që s’e kam parë asnjëherë kur kam kërkuar ndihma për qytetarët,” ironizoi ai.
“Më është mohuar njoftimi, ftesa dhe e drejta për të qenë aty. A do të kisha ndryshuar mendimin e tyre? Nuk e di, por besoj se fjalët kanë peshë. Ju sot po bëni diferencën, sepse po dëgjoni palët,” theksoi ai.
Ish-kryebashkiaku tha se ndjehej i lënduar jo vetëm nga vendimi, por nga fakti se ai erdhi nga njerëz me të cilët kishte punuar për vite.
“Fyerja më e madhe e jetës sime është që më tradhtuan ata që më njihnin. Tirana ka qenë një kantier i madh pune për 10 vite. E vetmja ‘eficiencë’ që pashë tani ishte ajo e padrejtësisë. Nuk e di vendimin nëse do t’i shikoja në sy, por po ta bëja, do t’u kujtoja se nesër mund të ishin edhe ata viktima si unë,” përfundoi Veliaj.
				
             

 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
					 
                     and then
 and then