Balluku në SPAK/ “Të japë dorëheqjen për t’u përballur me akuzat”, Vishaj: Marrja e motrës si avokate, përbuzje ndaj drejtësisë

Avokati i njohur Saimir Vishaj, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar paraqitjen e zv/kryeministres Belinda Balluku në SPAK, si dhe vendimin e saj për të zgjedhur motrën, Pamela Qirko, si avokate mbrojtëse.

Vishaj vlerësoi rolin e SPAK-ut në hetimin e zyrtarëve të lartë të qeverisë, duke theksuar se asnjë funksionar nuk duhet të përdorë imunitetin politik si mburojë ndaj drejtësisë.

“Duhet përshëndetur SPAK që guxon. Kur shkon te zv/kryeministrja, ka arritur te tavani, mbetet vetëm kryeministri lart. Kur i tronditet qeveria, nuk duhet të përdorin imunitetin si garant për të mos u arrestuar. Askush nuk duhet të fshihet pas imunitetit,” deklaroi Vishaj.

Avokati shtoi se çdo zyrtar që është i bindur për pafajësinë e tij duhet të dorëhiqet përkohësisht dhe të përballet me drejtësinë me transparencë të plotë.

“Nëse e ndjen veten të qetë që nuk ke kryer veprime të kundërligjshme, jep dorëheqjen dhe përballu me akuzat,” theksoi ai.

Vishaj kritikoi gjithashtu vendimin e Ballukut për të marrë në mbrojtje ligjore motrën e saj, ish-anëtare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke e quajtur një veprim të papërshtatshëm dhe të dëmshëm për perceptimin publik ndaj drejtësisë.

“Të përdorësh motrën për avokate mbrojtëse, që ka bërë vettingun e prokurorëve apo gjykatësve, për mua është një përbuzje negative që i bën drejtësisë. Ka avokatë plot që nuk kanë asnjë papajtueshmëri. Të marrësh motrën që ka qenë në KPK dhe mund të dijë ndonjë problem të prokurorëve apo gjykatësve më duket jo njerëzore,” u shpreh Vishaj.

Në përfundim, ai nënvizoi se SPAK duhet të vijojë me të njëjtin standard ligjor si në çdo rast tjetër të zyrtarëve të lartë: “SPAK, siç ka vepruar deri tani për zyrtarët e tjerë, duhet edhe në rastin e Ballukut të marrë masën e sigurimit, pezullim nga ushtrimi i detyrës. Më pas, për arrestimin apo masat e tjera, vendos komisioni përkatës.”


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×